E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana mbron shqiptaret e Zvicres

Në fushë nuk i kursen ndërhyrjet e ashpra, madje as përballë bashkëkombasve të tij. Me shpirtin e luftëtarit, Lorik Cana mbetet një prej shtyllave kryesore të Kombëtares. Por, 29-vjeçari di të mbrojë edhe jashtë fushës. Këtë herë, lideri i Shqipërisë, por edhe idhulli i tifozëve kuqezi del në mbrojtje të dy lojtarëve shqiptarë të Zvicrës, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.

Në fundin e sfidës Zvicër-Shqipëri, dy yjet e rinj nuk nguruan që të duartrokisnin edhe 12 mijë tifozët shqiptarë të pranishëm në Lucernë, pavarësisht kontestimeve të këtyre të fundit. Gjesti i lojtarëve, që ishin padyshim thelbësorë në fitoren kundër Shqipërisë, është vlerësuar nga një pjesë e fansave.

Pa u vënë re nuk kanë kaluar as deklaratat e tyre pas ndeshjes se pavarësisht se luajnë me përfaqësuesen zvicerane ata mbeten shqiptarë dhe asnjëherë nuk e mohojnë këtë fakt. Megjithatë, në ambientin e ndarë kuqezi, nuk rreshtin as kontestimet apo qëndrimet kundër zgjedhjes sportive të futbollistëve.

Për të qetësuar disi tifozët, ka ndërhyrë kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, që nëpërmjet faqes zyrtare në rrjetin social “facebook” i ka kërkuar mbështetësve të qetësohen.

“Ata mund të luajne për Zvicrën por thellë-thellë e ndjejnë që janë shqipëtarë. E pashë me sytë e mi që Xhakës dhe Shaqirit pothuajse nuk po i dilte zemra nga vendi prej emocioneve që kishin. Në momentin që Shaqiri shënoi kërkoi falje, dhe nuk ishte aspak i gëzuar. Unë e di që jeni të mërzitur dhe të acaruar, por ju kërkoj të gjithëve të qetësoheni”, shkruante në mesazhin e tij Cana.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›