Akuza për dhunë, nis hetimi ndaj djalit të ish-prefektit
Policia dhe prokuroria reagojnë pas denoncimit në gazetën “Shqip”. Shoqërohet Erion Troka
Shoqërohet në polici Erion Troka, djali i ish-prefektit të Fierit. Publikimi në gazetën “Shqip” i denoncimit për dhunë ndaj tij detyron policinë lokale që ta shoqërojë atë për ta pyetur dhe për të konsideruar tri kallëzimet e bëra më parë nga vajza të cilën ai e dhunoi fizikisht. Për më tepër se katër orë, 26-vjeçari Erion Troka qëndroi në mjediset e policisë. Burimet zyrtare pohojnë për gazetën “Shqip” se ky person u thirr në cilësinë e personit nën hetim. Në polici u thirr edhe denoncuesja Ertilda Spaho. Ajo është marrë në pyetje përpara djalit të ish-prefektit. Nëndrejtori i Policisë së Fierit, Ilir Dedja, është angazhuar dje me sqarimin e çështjes. Para se të thërriste 26-vjeçaren në polici, nëndrejtori Dedja ka mbledhur të gjithë informacionin që policia lokale posedonte për rastin. Ai u njoh me të tre kallëzimet dhe me ecurinë e tyre. Ndërkohë, denoncuesja e dhunës, Ertilda Spaho tha për gazetën “Shqip” se, pas publikimit të lajmit dhe angazhimit të policisë ka pasur kërcënime telefonike. “Që nga publikimi i rastit më kanë telefonuar deri dhe me numra të huaj dhe më kanë kërcënuar me jetë. Të gjitha këto ia ka treguar edhe policisë, dhe prokurorisë”, tha Spaho. Vajza 26-vjeçare tregoi gjithashtu se ndryshe nga ditët e mëparshme, dje oficeri i policisë që e mori në pyetje i kërkoi edhe raportin mjekoligjor që vërteton dhunimin. “Këtë veprim oficeri Spartak Gjicali nuk e kreu një apo dy ditë pas ngjarjes, por sot kur çështja mori përmasa publike”, tha dje e dhunuara.
Tashmë, për rastin kanë nisur hetime nga policia dhe Prokuroria e Fierit dhe 26-vjeçari Troka është vënë zyrtarisht në akuzë për ushtrim dhune. Nëndrejtori i Policisë së Fierit tha se, “ligji nuk na lejon që të arrestojmë personin në raste të tilla, edhe pse këto raste janë me të vërtetë shqetësuese”.Ertilda Spaho denoncoi nëpërmjet gazetës “Shqip” mosangazhimin e policisë së Fierit, si dhe raportin e dyshimtë të dhënë nga mjeku ligjor, lidhur me dhunimin që i është bërë nga djali i ish-prefektit Rauf Troka.
#