E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga grupit të heroinës, shpërndanin në 7 zona

Operacioni
Antidroga e kryeqytetit vendos në pranga katër persona, si dhe sekuestron lëndën narkotike

Antidroga e kryeqytetit ka goditur një rrjet trafikantësh, që shpërndanin heroinë në shtatë zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht nëpër gjimnaze. Në kuadër të operacionit “Baçia” të zhvilluar përgjatë orëve të vona të mbrëmshme nga specialistët e seksionit kundër narkotikëve, u realizua kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i Armando Canajt, i proceduar më parë për vjedhje; Jetnor Ademit, i proceduar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, i liruar me kusht, Alban Demirajt dhe Endri Avdylit. Arrestimi vjen pas 6 muajsh hetime që nisën me arrestimin e shtetasve Eneid Gorishi dhe Fisnik Komani, përkatësisht më 8 korrik 2009 dhe 26 tetor 2009, si dhe katër me persona të tjerë, të cilët janë proceduar në gjendje të lirë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se pas një pune voluminoze 6-mujore në investigimin dhe ndjekjen e tyre, është arritur të konkludohet operacioni i koduar “Baçia”, nga ku u mundësua goditja në kohë e këtij grupi dhe aktiviteti i tyre kriminal në fushën e krimit të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme. Arrestimi i tyre u mundësua në kuadër të një procedimi penal i organizuar me metoda speciale të hetimit, i nisur në vitin 2009 ku aktualisht ndodhen të arrestuar dy nga personat e lartpërmendur. Kapja e shtetasve Armando Canaj dhe Jetnor Ademi u realizua në afërsi të rrugës “Fortuzi” në Tiranë, ndërsa kapja e shtetasve Alban Demiraj dhe Endri Avdyli u mundësua në afërsi të një lokali në Shkollën e Bashkuar Tiranë. Në sajë të posedimit të informacioneve nga specialistët e këtij seksioni, u dokumentua se personat e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, realizonin shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht e llojit heroinë, aktivitet të cilin e shtrinin në zona të ndryshme të Tiranës si në zonën e spitalit, te Selvia, në Linzë-Teleferik, Rruga e Elbasanit, Stacioni i Trenit, Rruga “Fortuzi”, si dhe te Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Partizani”. Ndërkohë, pas kapjes në cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestruan lënda pluhur, e dyshuar narkotike e llojit “heroinë”, e cila ishte e ndarë në 8 doza me peshë 4 gramë. Në të gjithë periudhën 6-mujore të hetimit është arritur t’i sekuestrohet këtij grupi 250 doza lëndë pluhur të llojit heroinë. Gjithashtu, u janë bllokuar sasia prej 0.5 gramë kokainë dhe katër automjete. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›