Urdhri, 2500 policë dorëzojnë armët
Strukturave të shërbimeve mbështetëse në polici nuk do t’u lejohet më armatim personal
Mbi 2500 policë dorëzojnë pistoletat. Urdhri është dhënë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi ata kanë kaluar në shërbimet mbështetëse dhe nuk gëzojnë më asnjë atribut të shërbimeve operacionale. Dorëzimi i armëve ka nisur që para disa ditësh, ndërkohë që vazhdon procedura që të gjithë punonjësit e shërbimeve mbështetëse t’i dorëzojnë ato.
Që pas daljes së ligjit të ri të Policisë së Shtetit, një departament iu la shërbimeve mbështetëse, punonjësit e të cilit nuk është e thënë të kenë njohuri operacionale mbi policinë. Për këtë arsye, ata do të jenë si gjithë punonjësit e tjerë të administratës, ku do u mungojë edhe armatimi. Sipas të dhënave, departamenti për shërbimet mbështetëse është strukturë që merret me mbështetjen dhe plotësimin e nevojave të strukturave operacionale me burime njerëzore, materialo-logjistike, financiare dhe me teknologji informatike, nëpërmjet rekrutimit të personelit, planifikimit e shpërndarjes së buxhetit, si dhe nëpërmjet menaxhimit e administrimit të burimeve mbështetëse në tërësi, me qëllim që të sigurohen kushte optimale pune për shërbimet policore.
Për këtë arsye, pak kohë më parë, drejtori i Përgjithshëm ka nxjerrë një urdhër që i gjithë personeli i këtij departamenti duhet të dorëzojë armatimin personal. Sipas të dhënave, janë rreth 2500 punonjës nën juridiksionin e këtij departamenti, të cilët për një kohë të gjatë kanë punuar në polici, por tashmë duhet të përshtaten si punonjësit civilë e të gjithë administratës. Në këtë urdhër, i cili është afishuar në të gjithë godinat e policisë, ku ka punonjës të shërbimeve mbështetëse janë kërkuar edhe disa pika të tjera. Sipas të dhënave nga policia, dorëzimi i armëve do të bëhet gjatë kohës që kryhet edhe kontrolli i pajisjeve të marra në dorëzim nga punonjësit. Kështu, aktualisht po kryhet kontrolli i gjithë mjeteve dhe në urdhër është përcaktuar se ditën e kontrollit dhe verifikimit, punonjësit duhet t’i kenë prezent të gjitha, përndryshe merren masa ndëshkimore. Sipas të dhënave policore, kjo bëhet edhe për kontroll ndaj pajisjeve që jepen për përdorim nga strukturat përkatëse të policisë.Ndërsa për armët personale, që kryesisht janë pistoleta të llojeve të ndryshme, do të bëhet edhe kontrolli fizik dhe problemet që ato mund të kenë shfaqur. Madje, disa prej punonjësve të policisë, të cilët kanë një kohë të gjatë që punojnë në strukturat civile nuk i kanë marrë në dorëzim armët e tyre personale, pavarësisht se u takonin me ligj. Siç dihet, në një testim që u bë kohë më parë, pavarësisht se tashmë nuk po kryhen testime të tilla, shumë punonjës policie, sidomos të shërbimeve mbështetëse kishin shumë mangësi profesionale në përdorimin e armës.
Departamenti i shërbimeve mbështetëse ka në varësi katër drejtori, si dhe sektorin ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Konkretisht ka në varësi Drejtorinë e Personelit, Drejtorinë e Teknologjisë së Informacionit, Drejtorinë e Buxhetit dhe Financës dhe Drejtorinë e Programit dhe Mbështetjes Logjistike. Ndërsa për sektorin ekonomik shpjegohet se ka për mision sigurimin e plotësimit të nevojave materialo-teknike të personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, identifikimin, planifikimin e zgjidhjen e kërkesave e nevojave të paraqitura, për logjistikë e trajtim materialo-ekonomik.
#