Taksa e gjelbër, sa do të paguajnë të gjitha kategoritë për vitin 2010
Jonida Tashi
Bashkia e Tiranës detajon se sa do të jetë niveli i taksës së gjelbër për të gjitha kategoritë që duhet ta paguajnë atë brenda datës 20 prill. Detyrimi i taksës së gjelbër është vjetor dhe aplikohet për të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtarinë në qytetin e Tiranës. Taksa e gjelbër paguhet për çdo njësi ku subjekti zhvillon aktivitetin. Megjithëse pagesa e këtij detyrimi duhet të kryhet deri më 20 prill, afati i pagesës për detyrimet e lindura pas datës 20 prill është 30 ditë pas lindjes së detyrimit. Nëse subjekti taksapagues fillon apo pushon veprimtarinë gjatë vitit, detyrimi tatimor llogaritet në përpjesëtim me muajt e plotë të zhvillimit të veprimtarisë. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV), bëjnë të ditur se shpërndarja e detyrimit tatimor për vitin 2010 është në përputhje me vendimin e Këshillit Bashkiak në fuqi të vitit 2008, i cili ka parashikuar taksat dhe tarifat vendore për vitin 2010. Në të njëjtin vendim është përcaktuar edhe niveli i taksës së gjelbër për vitin 20010, për të gjitha kategoritë.
Mënyra e pagesës
Detyrimi për taksën e gjelbër është vjetor. Për kategorinë “Familjarë” detyrimi paguhet brenda datës 30 prill të vitit. Për çdo familje të krijuar rishtas, afati i pagesës së taksës së gjelbër do të jetë 30 ditë nga dita e regjistrimit të saj në Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake përkatëse dhe detyrimi tatimor do të llogaritet nga muaji korrent i regjistrimit të saj. Për kategoritë “Biznesi” detyrimi paguhet brenda datës 20 prill. Afati i pagesës për detyrimet e lindura pas datës 30 prill është 30 ditë pas lindjes së detyrimit. Për subjektet e regjistruara rishtas detyrimi tatimor do të llogaritet për çdo njësi ku subjekti kryen aktivitet nga muaji korrent i regjistrimit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Nëse subjekti taksapagues pushon veprimtarinë gjatë vitit, detyrimi tatimor llogaritet duke shumëzuar taksën për vitin e plotë kalendarik me numrin e muajve të plotë gjatë të cilëve veprimtaria është kryer (përfshirë muajin korrent për të cilin është bërë kërkesa) dhe duke e pjesëtuar atë me 12 muajt e vitit kalendarik fiskal). Për kategorinë “Subjekte ndërtimi”, nënkategorinë “Njësi ndërtimi për çdo kantier ndërtimi, etj. të ngjashëm me to”, “Rikonstruksione të pjesshme për çdo kantier ndërtimi, rrugë, shkolla kopshte, objekte banimi e tregtare, etj. të ngjashëm me to”, llogaritja e taksës bëhet për periudhën nga momenti i ngritjes së kantierit të ndërtimit (marrjes së lejes së ndërtimit) deri në momentin e dorëzimit nga subjekti pranë Bashkisë së Tiranës të kërkesës për leje shfrytëzimi. Këtu përjashtohen kantieret e ndërtimit që përbëjnë vepra publike dhe financohen nga buxheti i Bashkisë apo buxheti i shtetit. Detyrimi në rastet e nënkontraktimit të punimeve të sipërmarrjes i takon investitorit të përshkruar në Lejen e Ndërtimit, të lëshuar nga Bashkia e Tiranës.
Apelimi tatimor
Tatimpaguesi mund të ankimojë kundër njoftim vlerësimit, çdo vendimi që ndikon në detyrimin e tij tatimor, çdo kërkesë për rimbursim ose lehtësim tatimor ose çdo akti ekzekutiv të posaçëm tatimor në lidhje me tatimpaguesin. Ankimi bëhet me shkrim dhe dorëzohet brenda ditëve kalendarike nga data kur akti i administratës është marrë ose vlerësohet i marrë nga tatimpaguesit. Tatimpaguesi, i cili kërkon të ankimojë, duhet që bashkë me ankesën të paguajë shumën e plotë të detyrimit tatimor të përcaktuar në njoftimin e vlerësimit të administratës tatimore. Shuma e pagueshme përjashton të gjitha gjobat e përfshira në vlerësimin tatimor të ankimuar. Ankimi merret në shqyrtim vetëm kur tatimpaguesi ka paguar detyrimin tatimor që është subjekt i ankimit. Akti administrativ, i lëshuar nga administrata tatimore dhe për të cilin nuk është ankimuar në rrugë administrative, nuk mund të ankimohet në rrugë gjyqësore. Barra e provës për të vërtetuar se një akt administrativ është i pasaktë bie mbi tatimpaguesin. Vendimi i organit apelues mund të kundërshtohet në Gjykatë, brenda 30 ditëve kalendarike nga marrja në dijeni për këtë. Nëse organi i apelimit nuk shprehet brenda tre muajve nga marrja e ankimit, tatimpaguesi mund të ankohet drejtpërsëdrejti në Gjykatë. Tatimpaguesi ka të drejtë të paraqesë personalisht çështjen ose të caktojë një person për ta përfaqësuar.
Niveli i taksës së gjelbër për vitin 2010
Kategoritë, nënkategoritë dhe nivelet treguese të taksës së përkohshme të gjelbër janë si më poshtë:
9 Prill 2010