E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri në trafik shkakton një të vdekur, 4 veta në pranga



BULQIZË – Një sherr i rëndomtë në trafik është bërë sërish shkas për një konflikt mes dy grupeve rivale, i cili ka përfunduar me një të vdekur dhe një person të plagosur. Ngjarja ndodhi tre ditë pas incidentit të Shkozetit, ku mbeti i vrarë një shtetas, pasi i parakaloi me makinë autorit të krimit. Burimet zyrtare të policisë së Qarkut të Dibrës bëjnë të ditur se dje, rreth orës 11, dy drejtues mjetesh, përkatësisht shtetasit Fadil Doda dhe Esat Tamçi kanë debatuar për disa minuta me njëri-tjetrin, në prani të dhjetëra personave. Më pas janë përfshirë në këtë përplasje dy grupe rivale, të cilat kanë përdorur edhe armët e zjarrit. Për pasojë, është plagosur rëndë dhe më pas, gjeti vdekjen shtetasi Fadil Doda, si dhe është plagosur shtetasi Adem Gjika, i cili ndodhet në spitalin e Bulqizës.
Palët fillimisht kanë rënë dakord për të mbyllur konfliktin dhe janë takuar sërish në periferi të qytetit. Doda, bashkë me personat që e shoqëronin ka shkuar për të takuar Esat Tamçin, i cili shoqërohej nga vëllai i tij Bajrami dhe disa persona të tjerë, për të mbyllur debatet e shkaktuara. Por, në një moment tensioni, palët kanë përdorur armët. Fillimisht është plagosur aksidentalisht Fadil Doda. Po kështu, në përplasjen mes grupeve mbeti i plagosur edhe Adem Gjika. Doda është dërguar me helikopter drejt Tiranës, por pa arritur dot të mbërrijë deri ne spital gjeti vdekjen gjatë rrugës. Ndërsa Adem Gjika ndodhet në spitalin e Burrelit, jashtë rrezikut për jetën. Policia e cila shkoi menjëherë në vendgjarje dhe vuri ne pranga katër persona; Esat Tamçin, Hidajet Hoxhën, Albert Petin dhe Bajram Tamçi. Operacioni është drejtuar nga ana e drejtorit të Policisë së Qarkut Dibër, Ali Elezi. Sipas policisë, autori i krimit dyshohet të jetë shtetasi Halil Gjika, i cili është larguar në drejtim të Burrelit, vetëm pak minuta pas përplasjes me armë. Ndërkohë janë ngritur disa postoblloqe police në të gjithë akset që lidhin qytetin e Bulqizës me zonat përreth. Pak ditë më parë shtetasi Julian Saliko nga Shkozeti i rrethit të Durrësit vrau me armë zjarri Kastriot Doçin pas parakalimit që i bëri viktima me makinën e tij.

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›