E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Njerëz të humbur” kthen pas 11 vjetësh viktimën e trafikut



DURRËS – Pas 11 vitesh kthehet pranë familjes së saj Aurora Latollari, e larguar nga familja që në vitin 1996 dhe e denoncuar e zhdukur nga familjarët që në fillim të vitit 2007. Pas gjetjes së vendndodhjes së saj në Itali nga stafi i “Njerëz të Humbur”, ata kanë bërë të mundur që ta marrin së bashku me familjarët nga shteti fqinjë dhe vetëm ditën e premte, 27-vjeçarja ka shkelur vendin e saj pas gjithë këtyre viteve. Sipas Bernard Pecnikajt, një nga pjesëtarët e stafit të emisionit televiziv, mbërritja e Latollarit në Portin e Durrësit është shoqëruar me zvarritje dhe vonesa të shumta nga policia e qytetit bregdetar.
Zvarritjet
Sapo ka mbërritur në atdhe e Aurora Latollarit, e shoqëruar nga familjarët dhe një nga pjesëtarët e stafit “Njerëz të humbur”, kanë nisur telashet e para. Sipas gazetarit Bernard Pecnikaj, vajza nga Korça është mbajtur për 4 orë në komisariatin e policisë së Durrësit. Madje, ai thekson se ka kërkuar praninë e një psikologu gjatë seancës së marrjes në pyetje të 27-vjeçares, por kjo është kundërshtuar fillimisht nga punonjësit e policisë. Sipas tij, policia nuk vuri në dispozicion një automjet për dërgimin e saj në Korçë. Stafi i emisionit të “Vizionplus” e ka shoqëruar Aurora Latollarin që nga Italia deri në Shqipëri. Për gjetjen e saj është kërkuar bashkëpunimi i strukturave të Interpolit. Mbrëmë “Njerëz të humbur”, rrëfen historinë e plotë të vajzës, e cila për disa vite ishte viktimë e trafikut.
Deklarata
Aurora Latollari është ndaluar për verifikim gjatë procedurave të kontrollit në portin e Durrësit. “Shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë Port Durrës, gjatë përpunimit të shtetasve në hyrje, evidentuan shtetasen e kërkuar (si e larguar nga banesa) Aurora Latollari, vitlindja 1981, lindur e banuese në Korçë, me arsim 8 klase, e padënuar më parë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Qarkut. Sipas tij, “kjo shtetase është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Korçës, më datë 26.01.2007, pasi më datë 25.01.2007 kanë bërë kallëzim në polici familjarët e saj”. Prindërit e Latollarit kishin humbur kontaktet që prej datës 25.09.1996. “Shtetasja në fjalë do t’i dorëzohet për veprime të mëtejshme shërbimeve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë", - thuhet në njoftimin zyrtar Historia Një kalvar gati 11-vjeçar, një rini e shkatërruar dhe e harruar nga pasojat e një ngjarjeje tragjike... Viti i mallkuar ’97 rezultoi i tillë edhe për familjen Latollari. “U detyrova t’i jap bekimin tim Aurorës, vajzës time, e cila u martua me Astrit Kalaverin, megjithëse nuk e bëra kurrë me zemër... Vajza thoshte se e donte, por edhe sikur të mos ishte e vërtetë, nuk kisha nga t’ia mbaja. Në ato kohë të trazuara gjithçka mund të ndodhte. Mendova se duke e martuar të paktën do të ruaja nderin e familjes...”. Kështu shprehet Sotir Latollari, babai nga Korça, i cili i rriti dy vajzat e tij me shumë mundime. Aurora, vajza e madhe e tij, pasi u njoh me Astritin, u largua në drejtim të Italisë kur ishte vetëm 16 vjeçe. Ishte fillimi i vitit 1997. Fillimisht jeta e Aurorës me Astrit Kalaverin ishte normale, por që i ngjante më shumë një qetësie para stuhisë... Nga qyteti i Napolit ata u zhvendosën në fshatin Rivergaro të Piacenzës. Problemet po fillonin të lindnin mes çiftit. Në telefonatat që realizonte me familjen e saj, Aurora filloi të shprehte shqetësime për keqtrajtim nga ana e të shoqit. Data 14 tetor e vitit 1997 ka qenë dhe telefonata e fundit e vajzës me babain e saj, ku ajo pohonte se “nuk mund të shkelte nderin e familjes dhe të dilte në rrugë ashtu siç i kërkonte i shoqi”. Shumë vitesh kërkimesh, ankth e lot do të kalonte familja Latollari për vajzën e tyre, Aurora. Katër javë “Njerëz të humbur” nxori në dritë gjithçka rreth saj, dhe tashmë 27 vjeçarja është kthyer në gjirin e familjes pas gjithë këtyre vitesh të mundimshme.

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›