PD përgëzon Ramën për deklaratën mbi NATO-n
Kryetari opozitës, Edi Rama, ua dedikoi shqiptarëve anëtarësimin e vendit në NATO. Një ditë pasi Shqipëria mori statusin e anëtarit në familjen euroatlantike, Rama përshëndeti këtë proces, duke ia mohuar meritën politikës së 18 viteve të fundit. "Është dita për të celebruar shpirtin e lirisë dhe pasionin demokratik të shqiptarëve, që janë realizuesit e kësaj ëndrre të madhe dhe për t‘u thënë të gjithëve, socialistëve e demokratëve apo atyre pa parti, pa dallim moshe, krahine, gjinie, feje e ideje se Shqipëria hyri në NATO falë tyre, jo falë politikanëve të saj që e vonuan 18 vjetëve, më shumë se një herë, këtë ditë të madhe", tha Rama. Pak minuta pas deklaratës së Ramës, Partia Demokratike përmes, zëdhënëses së re, Erla Mëhilli, përshëndeti qëndrimin konstruktiv të Partisë Socialiste për anëtarësimin në NATO. Në mesazhin e tij, Rama, gjeti më vend që të përshëndesë të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët "më në fund realizojnë ëndrrën e atit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, i cili thoshte se në themel të shtetit të ri shqiptar më 1912 do të ishin "nomet e Perëndimit". Veç të tjerash, Rama përmendi edhe kontributin dhe respektin për të gjithë ata që dhanë jetën në luftën heroike përkrah aleatëve kundër nazizmit e fashizmit, por edhe për të gjithë ata e ato që u vranë, burgosën, syrgjynosën gjatë viteve të diktaturës. Krahas falënderimeve për popullin shqiptar, Rama u shprehu mirënjohjen për SHBA-në dhe gjithë shtetet e tjera për mbështetjen që i dhanë Shqipërisë për t‘ia arritur kësaj dite. Sakaq, ndryshimi i zëdhënësit të PD-së, ka ndryshuar edhe kursin e deklaratave, të cilat vijnë më të zbutura në adresë të opozitës. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, tha se Rama më në fund gjeti kurajën për të dalë nga sindroma e mohimit. "Sot kreu i PS-së, Edi Rama, gjeti më në fund forcën dhe kurajën për të dalë nga sindromi i mohimit dhe për të përshëndetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si akti më madhor në historinë e këtij kombi pas pavarësisë së tij", u shpreh Mëhilli. PD e përshëndeti qëndrimin e Ramës si diçka konstruktive në të cilën ekziston vlerësimi i kontributit të qeverive socialiste, që sipas PD-së, Rama është përpjekur ta mohojë.