E Diel, 1 Nëntor 2026

Aplikimi për në BE, brenda prillit

Diplomacia shqiptare do të zyrtarizojë aplikimin për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian në fund të muajit prill. Burimet diplomatike sqarojnë për "Shqip" se tanimë është rënë dakord të mos ketë hap prapa në drejtim të këtij aksioni. Ndonëse nuk kanë munguar skeptikët, mazhoranca do t‘i qëndrojë besnike angazhimit të ndërmarrë nga Kryeministri Sali Berisha. Gjithsesi, shqyrtimi i këtij aplikimi nuk do të mund të bëhet para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Zyrtarë të ambasadave të huaja, të akredituara në Tiranë janë vënë në kontakt prej ditësh me përfaqësuesit kryesorë të qeverisë. Shkak për këtë komunikim ka qenë pikërisht aplikimi zyrtar i Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat në familjen evropiane. Diplomacia shqiptare mësohet se ka siguruar mbështetjen e disa vendeve për të ndërmarrë këtë veprim teksa ende ka zëra kundër brenda Bashkimit Evropian. Ajo çka mësohet t‘i jetë bërë e qartë palës shqiptare është fakti se përtej këshillave miqësore gjithçka për aplikimin varet në vullnetin e lirë të shtetit shqiptar. Në takimin e fundit të Kryeministrit Sali Berisha me drejtorin për Koordinimin dhe Zgjerimin në Komisionin Evropian, Michael Leigh, tema kryesore ishte pikërisht aplikimi. Zyrtari evropian mësohet të ketë këmbëngulur në linjën e asaj çka është deklaruar deri më tani edhe prej komisionerit evropian për zgjerimin, Olli Rehn. Zgjedhjet konsiderohen faktor kyç mbi të cilin do të mund të bëhet vlerësimi për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Burimet sqarojnë se Kryeministri Sali Berisha, në fund të muajit prill do të depozitojë zyrtarisht kërkesën për statusin e vendit kandidat. Sipas procedurave, një shkresë e tillë hartohet nga shteti shqiptar dhe i dërgohet presidencës së Bashkimit Evropian (në rastin konkret asaj çeke) duke i kërkuar t‘i njohë me përmbajtjen të gjitha vendet anëtare të BE-së. Presidenca, më pas, vendos ta shqyrtojë duke i kërkuar Komisionit Evropian një vlerësim për situatën ku ndodhet vendi aplikues. Diçka e tillë praktikisht nuk do të mund të ndodhë deri pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, kur dhe mbaron afati i presidencës çeke. Më tutje, mbarëvajtja e procesit elektoral dhe plotësimi ose jo i standardeve do të jetë treguesi më i qartë mbi të cilin do të monitorohemi në presidencën suedeze. Shpallja e synimit për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian u deklarua nga Kryeministri Sali Berisha disa muaj më parë. Në takimet e zhvilluara në Bruksel midis komisionerit për zgjerimin Olli Rehn dhe ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, u fol gjerë edhe për këtë çështje. Sakaq, ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg, sugjeroi hapur për të shtyrë në një moment tjetër, më të përshtatshëm, aplikimin. As deklaratat pesimiste, tre herë rresht të komisionerit evropian, Rehn, nuk frenuan qeverinë shqiptare për të çuar deri në fund këtë premtim teksa na ndajnë më pak se 100 ditë nga zgjedhjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›