E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, kreu i opozitës ankohet te zyrtari evropian

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shprehu dje shqetësimet e opozitës për zgjedhjet, drejtorit për Zgjerimin e BE-së, Michael Leigh. Gjatë takimit në selinë rozë mes Ramës dhe Leigh, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i KE-së në Tiranë Helmut Lohan, është folur për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe procesin e parapërgatitur. Mësohet se Rama është shprehur se procesi zgjedhor është në rrezik për shkak të mangësive që po tregon qeveria, sidomos me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, për të mos lejuar që një përqindje e konsiderueshme qytetarësh të mos kenë të drejtë të votojnë. "Miratimi në Parlament i nismës ligjore për karta identiteti falas, propozim i Partisë Socialiste, është e vetmja mundësi zgjidhjeje", mësohet të jetë shprehur Rama gjatë bisedës me Leigh. Socialistët i kanë njohur ndërkombëtarët me qëndrimet e deritanishme dhe monitorimin që po i bëjnë procesit përgatitor. Dy ditë më parë, zyrtarët e opozitës deklaruan se, nëse nuk do të bëhet i mundur votimi për të gjithë zgjedhësit pa pasaportë, mund të rishohin qëndrimin e tyre. Deri më tani, mazhoranca nuk ka dhënë shenja reflektimi në këtë drejtim, duke mos pranuar të japë karta falas. Zyrtarisht figurojnë 729 mijë zgjedhës pa pasaportë në të gjithë vendin. Këtë e ka bërë publike Ministria e Brendshme, e cila ka hartuar edhe grafikun e shpërndarjes së kësaj kategorie në të 12 qarqet e vendit. Por opozita insiston se ky numër është shumë më i madh për shkak të mosregjistrimit siç duhet të këtyre personave. Drejtuesit e Partisë Socialiste janë shprehur qartazi se numri real i zgjedhësve pa pasaportë shkon rreth 900 mijë persona. Deri më tani, selia rozë ka qenë në një proces hulumtimi të brendshëm, për të thithur sa më shumë raste abuzimesh me këtë proces. Gjithë këto problematika i janë bërë të ditura zyrtarit ndërkombëtar, teksa u theksua gatishmëria e Partisë Socialiste për të ndihmuar në proceset integruese të vendit. Michael Leigh ka mbërritur prej dy ditësh në vendin tonë dhe më parë ka zhvilluar takime me Kryeministrin Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë takimeve me dy krerët e shtetit, Leigh ka dhënë detyrat e shtëpisë që i takojnë qeverisë. "Zgjedhjet në Shqipëri janë shumë të rëndësishme për në BE. Duhet të realizoni zgjedhje të lira dhe me standarde", u shpreh Leigh, duke kërkuar nga qeveria shqiptare aplikimin për statusin e vendit kandidat pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit. Ndërsa në takimin me Topallin, përfaqësuesi më i lartë i Bashkimit Evropian ka folur për integrimin dhe liberalizimin e vizave. Drejtori për Zgjerimin i BE-së theksoi se "kartat e identitetit janë një kusht për liberalizimin e vizave".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›