Komisionet zgjedhore, PS replikon me KQZ-në
Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafa, sqaroi dje pozicionin e kësaj partie në konstituimin e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Akuzës së KQZ-së se PS ka vonuar procesin e ngritjes së këtyre strukturave zgjedhore, Xhafa iu përgjigj se PS nuk është në dispozicion të këtij institucioni dhe se ajo i ka respektuar afatet e dorëzimit të listës së anëtarëve. Sipas Xhafës, lajmërimi i takon KQZ-së dhe koha në dispozicion për të mundësuar njoftimin e anëtarëve të saj për konstituimin, ishte e pamundur. "PS nuk është në dispozicion të kryetarit të KQZ, i cili do të mund të urdhërojë PS për të bërë njoftime. Për më tepër, edhe sikur t‘ia kërkonte këtë ndihmë PS-së, nuk do të ishte korrekte që me një shkresë të firmosur më datë 31 dhe të sjellë në datën 1, t‘i kërkonte asaj një gjë krejtësisht të pamundur", u shpreh Xhafa. Ndërkaq, dje ka nisur konstituimi i KZAZ-ve të para në rrethe. Procesi ka vijuar normalisht dhe anëtarët e majtë janë paraqitur në procesin e konstituimit të KZAZ-ve.