E Diel, 1 Nëntor 2026

BE-ja Qeverisë: Duam rezultate konkrete

Kryekomisioneri për zgjerim në BE, bëri të qartë se, Brukseli zyrtar, pret rezultate të prekshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor

TIRANË - Bashkimi Evropian kërkon nga Shqipëria rezultate konkrete në përmbushjen e detyrave që i lindin asaj nga zbatimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Mesazhi vjen nga kryekomisioneri për zgjerim në Bashkimin Europian, Oli Rehn, i cili ka bërë të qartë dje se, Brukseli zyrtar, pret rezultate të prekshme nga vendet e Ballkanit perëndimor që aspirojnë për t’u bërë pjesë edhe formale e familjes së madhe evropiane, duke përfshirë këtu edhe Bosnjë-Herxegovinën dhe Malin e Zi. “Bashkimi Evropian pret rezultate të mira nga Shqipëria dhe vendet e tjera si, Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina, në lidhje me përmbushjen e kritereve për anëtarësim”, - tha Olli Rehn, i cili ka theksuar gjithashtu se viti 2009, do të jetë viti i Ballkanit. Sipas tij, për të afruar sa më shumë këto vende me Bashkimin Evropian, është e domosdoshme plotësimi i atyre kushteve dhe detyrave që lindin nga nënshkrimi i MSA-së, si një hap i ndërmjetëm drejt anëtarësimit me të drejta të plota. Oli Rehn me këtë rast thekson se, mosmiratimi i traktatit të Lisbonës, nuk do të bëhet pengesë për Brukselin, që të pranojë shtete të tjera. Rehn ka përsëritur se Kroacia do t’i mbyllë negociatat në vitin 2009, duke shtuar se Kroacia do të miratohet si anëtare, pasi të përmbushë të gjitha kriteret. “Dhe Zagrebi ka ende për të bërë në reformimin e sistemit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, Kroacia është e sigurt se, shumë shpejt, do të jetë anëtarja e 28 e BE-së”, - ka siguruar Rehn. Në lidhje me Serbinë, Oli Rehn tha se ky vend do të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, në fund të vitit 2009. Por ai shtoi se, do të pritet më parë edhe një vlerësim i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për bashkëpunimin me Beogradin në lidhje me dorëzimin e kriminelëve të luftës. Ndërsa një ditë më parë, Rehn tha se Maqedonia nuk është gati për të marrë statusin e kandidatit në BE këtë vit, për shkak se nuk ka plotësuar shumë nga kushtet e vendosura nga blloku prej 27 anëtarësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›