E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në NATO, Rumania hedh firmën

TIRANË - Senati i Rumanisë ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke u bërë i gjashti vend që miraton këtë protokoll brenda një muaji. Ky vendim i senatit rumun, është përshëndetur dje edhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila e ka konsideruar atë si shprehje e mbështetjes së vendeve të NATO-s dhe të BE-së, ndaj një partneri serioz si Shqipëria. Rumania ratifikon këtë protokoll pas Senatit amerikan, ku Dana Perino, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, e quajti rezultat të progresit të Shqipërisë. Ratifikimi u votua unanimisht edhe nga parlamentet e Hungarisë, dhe Polonisë. Pak ditë më parë, edhe Dhoma e Deputetëve të Parlamentit të Rumanisë dha votën pro anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Veriut. Me anë të një letre, Topalli u shprehu mirënjohjen deputetëve dhe senatorëve rumunë, si dhe Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Rumanisë, Bogdan Olteanu, dhe Presidentit të Senatit të Rumanisë,Nicolae Vacaroiu, për impenjimin e tyre në futjen e shpejtë në axhendën parlamentare të këtij ratifikimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›