Reeker: Maqedonia shqetëson SHBA-në
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker, deklaroi se “SHBA-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Maqedonisë, në raport me zgjidhjen konfliktit të emrit me Greqinë”.
Reeker, pas një takimi me kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, ka shprehur shqetësimin lidhur me sundimin e ligjit, lirinë e medieve, si dhe zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.
"Natyrisht që biseduam për fushat të cilat vazhdojnë të na shqetësojnë, siç janë: sundimi i ligjit, drejtësia e barabartë për të gjithë, liria e medieve etj. Këto janë fushat kryesore për anëtarësim në NATO dhe në përgjithësi për integrimet euroatlantike”, ka thënë Reeker.
Reeker ka theksuar se Maqedonia nuk është duke ecur në rrugën e duhur.
“Ka kohë që flasim rreth këtyre çështjeve. Bëhet fjalë për çështjet me të cilat përballen edhe vendet e tjera në rajon, por ne jemi të shqetësuar në lidhje me disa tendenca regresive, të cilat i shohim në Maqedoni dhe për këtë fryje do të vazhdojmë të bisedojmë për këto çështje”, ka shtuar ai.
Reeker, ka shprehur besimin se “Republika e Maqedonisë në periudhën e ardhshme do të vazhdojë me përmbushjen e reformave si dhe me zgjidhjen e çështjes së emrit, me qëllim të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, si dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.