E Diel, 1 Nëntor 2026

Claig: Kriminelët në Londër të poshtërohen publikisht

Nga Express më 17 gusht 2011 në ora 12:25

Zëvendëskryeministri britanik, Nick Claig, bëri thirrje që ata pjesëmarrës në trazira, të cilët do të dënohen nga gjykatat, të detyrohen të vishen me pantallona dhe bluza ngjyrë portokalli, me mbishkrimin “dëmshpërblim për trazirat” dhe të punojnë për të pastruar lagjet ku kanë plaçkitur dhe vjedhur, si ndëshkim për atë që kanë bërë.

Zëvendëskryeministri kërkoi që kriminelët të përballen me viktimat në komunitetet e tyre, kudo që jetojnë në mbarë Britaninë.

Claig theksoi se dëshiron që këta kriminelë të përballen me viktimat e tyre dhe t’i shikojnë ata në sy.

Ndërkohë policia britanike ka publikuar një video shokuese, në të cilën shihen dy policë duke u goditur nga një makinë, në momentin që ishin vënë në ndjekje të plaçkitësve në trazira.

Ngjarja ka ndodhur ne lagjen Waltham Forest, në verilindje të Londrës.

Detektivët që po hetojnë ngjarjen kanë kërkuar ndihmën e publikut, për identifikimin e personave që kanë kryer këtë tentim vrasje, me një makinë të tipit Citroen.

Të dy policët janë shtruar në spital për shkak të plagëve të marra dhe janë në pritje të një trajtimi më të specializuar.

Pamjet filmike janë rezultat i një operacioni super-gjigant të Police Metropolitane, të koduar “Withern”, ku janë duke u analizuar rreth 20 mijë orë filmime, për të zbuluar ata që kanë shkaktuar trazira.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›