E Diel, 1 Nëntor 2026

Moszbatimi i urdhrit për ndotjen akustike, arrestohet ish-truproja i BerishësNga Ish-truproja e Berishës, Sali Lusha, është arrestuar ditën e djeshme, pasi nuk ka zbatuar urdhrin e policisë për mbylljen e lokaleve që ndodhen në zonat turistike, pas o

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Moszbatimi i urdhrit për ndotjen akustike, arrestohet ish-truproja i BerishësNga

Ish-truproja e Berishës, Sali Lusha, është arrestuar ditën e djeshme, pasi nuk ka zbatuar urdhrin e policisë për mbylljen e lokaleve që ndodhen në zonat turistike, pas orës 24:00. Policia bëri me dije se përveç kësaj, Lusha, përveçse nuk ka zbatuar urdhrin për mbylljen e lokalit, ka kundërshtuar oficerët e policisë, me të cilët është konfrontuar fizikisht.

Sali Lusha ka qenë truproja e kryeministrit, Sali Berisha, gjatë periudhës që ky i fundit ka qenë President i Republikës. Ndërkohë, ai ka qenë i akuzuar si pjesëmarrës gjatë trazirave të 14 shtatorit të vitit 1998, si dhe dëshmitar për vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari.

Arrestimi

Moszbatimi i urdhrit të Policisë së Shtetit për mbylljen e lokaleve në zonat turistike pas orës 24:00, si dhe kundërshtimi dhe konfrontimi fizik me oficerët e policisë, kanë çuar në prangat e policisë ish- truprojën e kryeministrit, Sali Berisha. Sipas burimeve të policisë, Lusha zotëron një lokal me emrin “Rio” në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në të cilin muzika me zë të lartë ka vazhduar edhe pas orës së përcaktuar nga ana e Policisë së Shtetit. Kjo gjë ka bërë që oficerët e policisë të shkojnë në lokalin e Lushës dhe t’i kërkojnë atij që t’i ulë zërin lokalit dhe ta mbyllë atë. Por urdhri i oficerëve të policisë nuk është zbatuar nga ana e ish-truprojës së Berishës, i cili edhe është konfrontuar me uniformat blu. Për pasojë, këta të fundit kanë kryer arrestimin e tij dhe tashmë Sali Lusha pritet që të procedohet penalisht për veprat penale të “Prishje të rendit dhe qetësisë” dhe “Kundërshtimin e punonjësve të policisë”. Policia bëri me dije se është prerë fleta e arrestit edhe për shtatë të rinj të tjerë, pasi këta të fundit janë përfshirë në debatin mes punonjësve të policisë dhe Lushës. Të rinjtë Visar Kashari, Shkëlzen Susa, Mariglen Blliku, Renaldo Gecaj, Rusin Grazhani, Avdyl Gjomakaj dhe Edgar Muçaj, sipas policisë janë arrestuar për të njëjtat akuza, ato të prishjes së rendit dhe qetësisë, si dhe kundërshtimit të punonjësve të policisë. Sali Lusha ka qenë truproja e Sali Berishës, në kohën që ky i fundit ka qenë President i Republikës, ndërsa ka qenë i akuzuar për përfshirjen në trazirat e 14 shtatorit të vitit 1998, teksa ka qenë edhe dëshmitar në procesin gjyqësor për vrasjen e Azem Hajdarit. Ndërkohë, në lidhje me urdhrin për mbylljen e lokaleve dhe diskove në zonat turistike, Policia e Shtetit ka sqaruar se, nuk do të mbyllë asnjë disko, klub nate, bar, restorant etj., që vazhdojnë të punojnë pas orës 24.00, nga dita e hënë deri ditën e enjte dhe pas orës 02.00 për ditën e premte dhe të shtunë, në rastet kur këto të fundit do të eliminojnë ndotjen akustike pas kësaj ore. “Nisur nga ankesat e shumta të qytetarëve dhe shqetësimet e vazhdueshme të turistëve vendas dhe të huaj, që pushojnë në plazhet e vendit tonë, për ndotjen akustike, diskot, klubet e natës, baret, restorantet etj., mund të vazhdojnë punën normalisht pas orareve të mësipërme, por pa krijuar ndotje akustike (zhurma, muzikë të lartë etj), që bëhet shkak për prishjen e qetësisë publike”, - bëri të ditur në një komunikatë për shtyp Policia e Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›