Akuzat e ashpra të bazës socialiste: Edi Rama po e mbush PS-në me oborrtarë të Pezës
Eliminimi nga gara për krerët e Partisë Socialiste në rrethe të më shumë se gjysmës së kandidaturave të propozuar nga baza, ka ngritur kundër Edi Ramës edhe socialistët e Kolonjës dhe Devollit. Socialistë me kontribute që në krijimin e kësaj force politike, e akuzojnë Ramën për manipulim të këtyre zgjedhjeve, eliminim nga gara të socialistëve të vërtetë dhe emërime sipas preferencave të tij, të njerëzve pa asnjë lidhje me partinë. Pjesa më e madhe e anëtarëve të asamblesë së zgjeruar të PS në këto rrethe, e kanë cilësuar këtë proces, jo si zgjedhje, por si një proces emërimesh, që shkel statutin e partisë dhe demokracinë e brendshme. Ndaj ata kanë paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve për strukturat drejtuese, nëse kandidaturat e tyre nuk do të merren parasysh dhe 43 prej tyre kanë firmosur edhe një deklaratë, drejtuar Edi Ramës.
Kandidati për kreun e PS të Kolonjës, Arben Malo, emri i të cilit u propozua nga baza por u hodh poshtë nga kryesia socialiste, thotë eliminimi nga gara është bërë pa asnjë motiv dhe duke injoruar vullnetin e pjesës më të madhe të anëtarëve të asamblesë socialiste.
Edhe dy kandidatët për kreun e degës së Devollit, të cilët u hoqën nga gara, i cilësojnë absurde veprimet e kryetarit të tyre dhe me pasoja për këtë forcë politike. Alfred Gjata, kryetar aktual i Partisë Socialiste të Devollit, thotë se këto vendime do të sjellin efekte negative edhe në zgjedhjet lokale.
Alfred Gjata, Kryetar i PS, Devoll u shpreh se “përzgjedhja e emrave është bërë mbi bazën e preferencave personale të Ramës, i cili synon të krijojë një oborr të vetin me njerëz, të cilët nuk kanë asnjë kontribut në PS”. “Emërimet e kryetarëve të degëve lokale, e kanë demotivuar bazën socialiste dhe do të sjellin pasoja në zgjedhjet lokale”- u shpreh Gjata.
Edhe kandidati tjetër i eliminuar nga gara Jetnor Hysolli, thotë se veprimet e Ramës kanë shkelur statutin dhe kanë deformuar vullnetin e bazës socialiste, të cilës nuk po i jepet mundësia për të zgjedhur drejtuesit e saj, pasi ata janë emëruar nga Rama. Hysolli e ka cilësuar këtë proces si një farsë, duke u bërë thirrje socialistëve, që të mos marrin pjesë në të.
Në mbledhjen e së mërkurës, kryesia e Partisë Socialiste hoqi nga lista e kandidatëve më shumë se gjysmën e propozimeve të ardhura nga baza. Ky vendim shkaktoi debate në këtë mbledhje, solli një reagim publik të anëtarit të kryesisë dhe një prej figurave kryesore të PS–së, Ben Blushit dhe shkaktoi pakënaqësi në bazë, ku socialistët po e akuzojnë kryetarin e tyre se po e shndërron partinë në një oborr personal.