E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat mbi privatizimin e ARMO-s, reagon ministria

 

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka reaguar dje në lidhje me akuzat e ngritura nga opozita për privatizimin e kompanisë së naftës, ARMO. Vetëm dy ditë më parë, Kuvendi ratifikoi kontratën e shitjes së 85 për qind të aksioneve të kompanisë ARMO, miratim i cili u shoqërua me debate. Gjatë një deklarate për mediat, zyrtarë të kësaj ministrie kanë sqaruar në detaje kontratën e privatizimit të kësaj kompanie. Sipas tyre, ARMO nuk i është shitur një kompanie fantazmë me seli në Qipro. E vërteta është se në bazë të kontratës së shitjes, ARMO është blerë nga një konsorcium i përbërë nga tre kompani. “Përsa i përket dividendit të kompanisë për vitin 2008, sqarojmë një herë e përgjithmonë se ky dividend, për periudhën janar 2008 deri në çastin e hyrjes në fuqi të kontratës, do të derdhet në thesarin e shtetit”, sqaruan zyrtarët e kësaj ministrie. Ndërsa për sa i përket akuzës së ngritur, se blerësi nuk ka fuqi financiare të paguajë dhe ARMO do të përdoret si kolateral për kredimarrje prej blerësit, Ministria e Ekonomisë ka sqaruar se kontrata e shitjes nuk lejon që aksionet e ARMO-s të vendosen si kolateral i ndonjë institucioni financiar, përpara pagimit të çmimit të shitjes dhe kalimit të pronësisë tek blerësi. Çmimi i shitjes, prej 128.750.000 euro do të paguhet në një këst të vetëm, ditën e bërjes efektive të kontratës. Zyrtarët e ministrisë theksuan se kontrata e shitjes është firmosur brenda afatit ligjor. Gjithashtu kontrata e shitjes është firmosur pas lëshimit të garancisë bankare prej Bankës “Raiffeisen” dhe mban datën 7 gusht 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›