E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet me 5 lekë çmimi i naftës në vend

 

Tregtarët e karburanteve kanë vendosur më së fundi që të ulin çmimin e naftës në vend. Në pikat e tregtimit të karburanteve një litër naftë D1 kushton 155 lekë, nga 160 lekë që shitej pak ditë më parë. Shkak për këtë rënie është ulja e çmimit të arit në zi në bursat ndërkombëtare. Por edhe pse çmimi i naftës në tregun vendas është ulur, përsëri mbetet i lartë. Kjo, pasi çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar ulje të ndjeshme. 
Në kohën kur çmimi i arit të zi arriti majat e tij, periudhë në të cilën një fuçi naftë kuotohej me 150 dollarë, në tregun vendas një litër naftë kushtonte 172 lekë. Por, sipas mediave të huaja, tashmë një fuçi naftë në bursat e Nju Jorkut kuotohet me 98 dollarë, duke pësuar kështu një ulje të ndjeshme. Ndërsa në tregun vendas një litër naftë kushton 155 lekë. Pra, në tregun vendas çmimi i karburanteve nuk ka pasur ulje të ndjeshme, ndërkohë që në tregjet e huaja ulja e çmimit të arit të zi ka qenë e konsiderueshme. Por, në fakt, e kundërta ndodh sa herë që çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtarë pëson rritje, në këto raste importuesit nuk ngurrojnë që brenda një harku shumë të shkurtër kohor të rrisin çmimet e karburanteve. Ndërkaq të dhënat zyrtare nga administrata doganore vënë në pah faktin se, pavarësisht rritjes së çmimit të karburanteve në vend, kërkesa për këto produkte nuk është ulur. Edhe pse shpenzojnë më shumë para, shqiptarët nuk heqin dorë nga përdorimi i automjeteve. Sipas të dhënave më të fundit nga administrata doganore, importi i karburanteve gjatë këtyre 8-muajve ka pësuar rritje. Janë  zhdoganuar mbi 262 mijë tonë karburante, ose 1 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Aktualisht në Shqipëri operojnë rreth 6 importues vendas, ndërsa dy importues të tjerë janë grekë. Por kompanitë vendase zënë rreth 70-80 për qind të sasisë së naftës që importohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›