E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, në rrezik furnizimi me ilaçe

 

ZIRINA LLAMBRO

Spitali “Nënë Tereza” rrezikon të përfshihet sërish nga kriza e ilaçeve. Tenderët për blerjen e tyre duhet të ishin mbyllur që në mars, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Për rrjedhojë drejtorisë i mbeten vetëm pak javë kohë deri në muajin tetor, kur skadon afati i tyre. Alarmin e ka ngritur vetë drejtoresha e QSUT, Gjeorgjina Kuli. Gjatë një konference për shtyp, ajo ka sqaruar problemet me tenderët. Nga 8 prej tyre që janë në proces, vetëm njëri është drejt përfundimit. “Bëhet fjalë për 8 procedurat tenderimi për blerjen e medikamenteve, preparateve citostatike, aparatura të kardiologjisë e ndërhyrje të urgjencës. Po bëjmë një pjesë të prokurimeve që duhet të ishin kryer që në muajin mars. Kemi frikë se mos nuk do të arrijmë të realizojmë dot deri në fund të tetorit”, u shpreh Gjeorgjina Kuli. Aktualisht të sëmurët me kancer, që prej më shumë se 3 muajsh po blejnë vetë kurat e trajtimit. Vetëm një cikël kimioterapie kushton rreth 400 euro. Për lloje të veçanta tumoresh, shifrat mund të jenë edhe më të mëdha. Rreziku për dështimin e tenderave mund ta përkeqësojë akoma më shumë situatën. Pezull vijojnë të mbeten në spital edhe analizat. Kjo pasi laboratori nuk është furnizuar as me reagentë dhe as me pajisje të tjera të nevojshme për kryerjen e analizave. Nga sa bëri dje me dije drejtoresha e QSU nga administrata janë larguar të emëruarit gjatë muajit gusht. Ndërkaq, po bëhen verifikimet edhe për të tjerë punonjës, të cilët nuk plotësojnë kriteret. Sa i përket grupit të Auditit që do të kontrollojë QSUT, ai pritet të vijë në spital ditën në vijim. Veç grupit nga ministra do të ketë specialistë Kryeministria e Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›