E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Në rrethe, më shumë kuzhinierë sesa mjekë

 

Në spitalet e rretheve ka më shumë sanitarë e kuzhinierë sesa mjekë. Konstatimi madje është bërë edhe nga ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, gjatë vizitave të saj në spitalet e Sarandës, Gjirokastrës e Tepelenës. Ajo ka deklaruar se po merren masa për të bërë një rishpërndarje të drejtë të bluzave të bardha në rrethe. “Problemi më kryesor që në e gjejmë në rrethet e thella është mungesa e specialistëve. Në shumë shërbime mungojnë mjekët, të cilët për arsye të ndryshme janë larguar dhe nuk janë zëvendësuar me të tjerë”, u shpreh Godo. Sipas saj, ky problem po shihet me prioritet nga Ministria e Shëndetësisë. “Ka dhe probleme të tjera që ne shpresojmë se mund të ndërhyhet për t’i minimizuar dhe zbutur ato, ose zgjidhur përfundimisht, ashtu siç janë problemet që kanë të bëjnë me shërbimin parësor të ambulancave dhe qendrave shëndetësore në komuna”, tha Godo.
Ministrja nënvizoi se këtë vit mund të gjendet një zgjidhje,edhe mbi bazë të projektit të mbështetur nga USAID dhe qeveria shqiptare, për rikonstruksionin dhe pajisjen me kapacitete njerëzore profesionale apo pajisje mjekësore së të gjitha qendrave shëndetësore. Godo theksoi se problemet me stoqet e medikamenteve janë të mbartura që prej vitit të kaluar dhe së shpejti do të gjendet një mënyrë më efikase e shpërndarjes së tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›