“Akuzat ndaj meje, kurth i dështuar”
Trazhgim Sokolaj
Konsulli shqiptar në Athinë, Ilirian Çukaj, i konsideroi kurth ndaj tij, akuzat dhe pretendimet e ngritura për korrupsion. Reagimi i konsullit në ambasadën shqiptare në Athinë, erdhi ditën e djeshme, kur gazeta “Panorama” në një artikull të saj, publikoi faktin se Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, kishte filluar hetimet rreth pretendimeve të një emigranti që kishte pohuar pagesën e një ryshfeti prej 2 mijë euro në ambasadë. Diplomati shqiptar në Athinë, Ilirian Çukaj, i konsideroi këto akuza si një kurth të dështuar që është ngritur ndaj tij, prej personave të caktuar me qëllime deri antishqiptare. “Eshtë një kurth i ideuar që herët qysh në emërimin tim si konsull nga persona, të cilët pasi kanë provokuar dhe dështuar shpesh përpiqen të hedhin baltë mbi punën dhe personalitetin tim dhe këtë radhë duke u përpëlitur, i drejtohen medias duke i bërë shantazh në këtë mënyrë strukturave të shtetit shqiptar dhe përdorur termin korrupsion, term që nuk ju vjen për shtat atyre që hartuan këtë skenar”, është shprehur dje konsulli shqiptar në Athinë, Ilirian Çukaj.
Histori e trilluar
Sipas diplomatit Çukaj, gjithçka është pretenduar në adresë të tij, “është një histori e trilluar dhe e provokuar nga persona dhe segmente të cilët me punën time korrekte kanë humbur përfitimet dhe asetet dhe nuk kanë gjetur alternativë për të ndërtuar projektet e tyre shpesh dhe antishqiptare”. Konsulli Ilirian Çukaj, është shprehur më tej se, “dua të theksoj se e gjithë historia që ngrihet kundra meje nuk ka të bëjë me veprimet e mia konkrete si konsull, por një përpjekje e përçartë për të vendosur ndikimin e tyre me tendenca të mbrapshta në ambasadë”. “Eshtë komike fakti që histori të tilla kanë qenë praktikë e zakonshme e punës në të shkuarën e nuk janë bërë publike, ndërkohë që bëhen publike pikërisht kur përpjekja ime për të ndaluar këto abuzime që dëmtojnë shtetin dhe bashkëkombësit tanë që jetojnë në Greqi”, ka vijuar më tej konsulli shqiptar në Athinë, Ilirian Çukaj. Ai ka shprehur dje shqetësimin e tij, për faktin se “disa institucione, përfshirë dhe media, nxitojnë të deklarojnë një version që nuk ka lidhje me të vërtetën”. “Jam i hapur dhe në pritje të drejtësisë dhe kam gjithë vullnetin e duhur që të shkoj deri në fund kësaj çështje”, siguroi më tej diplomati ynë në Athinë.
Policia greke
Konsulli Ilirian Cukaj dha komentin e tij lidhur me të dhënat e artikullit të djeshëm të bërë publik në gazetën “Panorama”, për praninë e policisë greke në brendësi të ambasadës shqiptare në Athinë, në kohen kur emigranti shqiptar me nënshtetësi greke, ka pretenduar se ka paguar ryshfetin. “Në lidhje me përfshirjen ose jo të policisë greke në këtë ngjarje, unë nuk e di se shtetasi shqiptar me kombësi greke Aristidhi Konomo ka tentuar të përfshijë edhe struktura të policisë greke në qëllimet e tij të parapërgatitura në tavolina djallëzore, por besoj se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë sepse implikimi i saj do të përbënte cenim të figurës dhe statusit të diplomatit. Këtu vërej tendenca të rrezikshme nga organizatorët për t’i dhënë ngjarjes përmasa e rrjedhime të tjera”, sqaroi më tej konsulli shqiptar në Athinë, Ilirian Çukaj. “Në mënyrë të rezervuar, duke pasur parasysh etikën dhe moralin e institucionit, më duhet të theksoj se në këtë hartim e zbatimin e këtij plani djallëzor janë të përfshirë edhe punonjës, diplomatë dhe të persona të cilët në mënyrë të vazhdueshme e konsekuencë dashakeqe, kanë vepruar për të errësuar dhe denigruar jo vetëm diplomatë të veçantë, por edhe ambasadën dhe shtetin shqiptarë në tërësi”, përfundoi sqarimet e tij konsulli shqiptar në Athinë.
Tërhiqet emigranti: S‘dhashë lekë për konsullin
TIRANE – Konsulli shqiptar në Athinë, Ilirian Çukaj, duke hedhur poshtë akuzat që janë bërë në adresë të tij, na tregoi një deklaratë të emigrantit shqiptar, me nënshtetësi greke, Aristidhi Konomo. Ky person, i cili kishte denoncuar në disa institucione shqiptare ryshfetin që pretendoi se kishte paguar në ambasadën shqiptare në Athinë, por që kishte lajmëruar për këtë edhe policinë greke, ka tërhequr të gjitha akuzat e bëra prej tij. Emigranti e ka bërë këtë veprim, përmes një deklarate të firmosur në përgjegjësinë e tij ligjore, e cila ndodhet edhe në dosjen e Prokurorisë. “Unë i nënshkruari Aristidhi Konomo, i biri i Nikollës dhe Etamatos, i datëlindjes 21 shtator 1973, deklaroj nën përgjegjësinë time të plotë, se nuk i kam dhënë lekë konsullit Ilirian Çukaj dhe nuk kam pasur asnjë problem me këtë zotëri”. Kështu shkruan emigranti 35-vjeçar në deklaratën e tij e cila mban datën 11 prill 2008. Pavarësisht se emigranti është tërhequr nga akuzat, madje ai ka firmosur një deklaratë në përgjegjësinë e tij ligjore, konsulli shqiptar në Athinë, i është drejtuar organeve të drejtësisë për të vënë në vend dinjitetin e tij. Ai i ka bërë një kërkesë prokurorit të rrethit Tiranë Genti Xholi, duke i kërkuar që të fillojë hetimet për akuzën e shpifjes, ndaj emigrantit Aristidhi Konomo. “Kërkohet fillimi i procedimit penal ndaj shtetasit Aristidhi Konomo, i biri i Nikollës dhe Stamatos, me banim në Athinë. Kërkoj nga ana juaj, fillimin e çështjes penale në ngarkim të Aristidhi Konomo, për shpifje për shkak të detyrës, bazuar në letrën e datës 16 prill 2008”, shkruan konsulli Shqiptar në Athinë në kërkesën që i ka drejtuar prokurorit të Tiranës, Genti Xholi. Në këtë letër, konsulli sqaron versionin e tij të ngjarjes me emigrantin duke sqaruar gjithë kronologjinë e saj. Emigranti ndaj të cilit kërkohet hetim për shpifje, më 16 prill 2008 ka bërë një letër denoncuese ku pretendon se në ambasadën shqiptare ka dhënë 2 mijë euro ryshfet, mirëpo në një deklaratë të tij, të bërë pesë ditë para denoncimit, i njëjti person, thotë se nuk ka pasur asnjë problem me konsullin Ilirian Çukaj dhe se nuk i ka dhënë asnjë lek atij. Ambasadori Vili Minarolli ka hartuar një raport për ngjarjen, ku thotë se ajo është e sajuar nga persona me interesa të dyshimta për cënimin e imazhit të përfaqësisë diplomatike shqiptare në Athinë.
Prokuroria
Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, ka marrë javën që kaloi një denoncim nga Ministria e Brendshme, ndaj konsullit shqiptar në Athinë Ilirian Çukaj dhe oficerit të kontaktit, Andi Likaj. Kallëzimi është paraqitur në Prokurori nga Ministria e Brendshme, e cila ka marrë një ankesë nga emigranti Aristidhis Konomos. Në ankesën e tij, emigranti ishte shprehur se kishte paguar ryshfet dhe se për këtë kishte njoftuar edhe policinë greke, një efektive e të cilës ka qenë e pranishme në ngjarjen e pretenduar nga emigranti. Dosja penale tashmë është në Prokurorinë e Tiranës, e cila po heton edhe konsullin e mëparshëm, pasi rezulton se ai ka vendosur dy vula false në pasaportën e emigrantit Aristidhis Konomos.