E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmusen: Reduktimi i KFOR pasqyron siguri në Kosovë

 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, And-ers Fog Rasmusen, gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë si kreu i aleancës, ka vlerësuar angazhimin e lidershipit kosovar në përmbushjen e kërkesave ndërkombëtare, ka shprehur impresionimin me përparimin e bërë gjatë viteve të fundit. Rasmusen e vlerësoi reduktimin e trupave të KFOR-it si tregues për forcimin e sigurisë në Kosovë. “Siç e dini, kemi vendosur të reduktojmë numrin e trupave gjatë viteve të ardhshme, por do të theksoja se ky vendim vetëm reflekton zhvillimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Ky vendim është i kushtëzuar, që do të thotë se reduktimi do të ndodhë në pajtueshmëri me përmirësimin e vazhdueshëm në aspektin e sigurisë. Ne do të sigurojmë se çdo vendim do të jetë i bazuar në këshillat ushtarake dhe në vlerësimet politike të situatës. Do të mbesim të përkushtuar të garantojmë sigurinë në Kosovë dhe paralelisht me këtë mund të konfirmoj se do të vazhdojmë t’i asistojmë autoritetet kosovare në zhvillimin e vazhdueshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha Rasmusen, pasi u takua me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Më pas ai siguroi se Kosova, gjatë mandatit të tij, do të jetë prioritet. “Fakti se kam vendosur të vij në Kosovë vetëm disa ditë pas marrjes së postit, nënkupton se Kosovës do t’i jap përparësi të madhe në punën time si sekretar i përgjithshëm i NATO-s”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha gjithashtu se vizioni i tij i qartë është që të sigurojë një perspektivë euroatlantike për të gjitha shtetet në Ballkan. “Vizioni im i qartë është që të sigurohet një perspektivë euroatlantike për të gjitha shtetet në Ballkan, sikurse për Kosovën, ashtu dhe për Serbinë. Mendoj se do të lehtësojë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në këtë pjesë të Evropës, nëse sigurojmë një të ardhme euroatlantike për të gjitha shtetet këtu. Natyrisht, se kjo është e kushtëzuar”, tha ai. Ndërsa Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë falënderuar Sekretarin e Përgjithshëm, Rasmusen, për përkrahjen e tij dhe rolin e NATO-s në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka takuar dhe komandantin e KFOR-it, gjenerallejtënant Xhyzepe Emilio Gaj dhe vizitoi trupat e KFOR-it dhe Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujotën. Dhe në fund të vizitës ka në plan të takohet edhe me përfaqësuesit kyç të komunitetit ndërkombëtar dhe me udhëheqësit lokalë politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›