Investitorët ia mësyjnë Kosovës së Re
Menjëherë pas përzgjedhjes se kompanisë për ndërtimin e autostradës, Qeveria e Kosovës në shtator të këtij viti do ta zgjedhë edhe kompaninë që do ta ndërtojë projektin më të madh energjetik – Kosova e Re. Nëse punët ecin sipas planit, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula-Shiroka, ka thënë se punët fizike fillojnë në fund të këtij viti.
“Furnizimi me energji elektrike është platformë për zhvillim ekonomik. Ky projekt me kapacitetet e veta prej 1100 megavat e mbështet këtë objektiv deri në vitin 2030”, ka thënë Shiroka-Pula.
Ky projekt gjigant ka zgjuar interesimin e investitorëve nga gjithë bota. Rreth 50 kompani kanë qëndruar të mërkurën në Prishtinë për të parë së afërmi detajet dhe ambientet ku do të ndërtohet Kosova e Re.
Ballë për ballë me ta, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkoqitur fjalët me të mira për t’i bindur që të investojnë në Kosovë. Ai u tha investitorëve se ekzekutivi i vendit është duke punuar që ky projekt të finalizohet brenda vitit 2010.
“Ndërtimi kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike nga linjiti është jetik për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm në sektorin energjetik në Kosovë. Qeveria do t’i ketë aksionet e veta substanciale”, tha kryeministri, në ditën e parë të konferencës ndërkombëtare për termocentralin Kosova e Re, që po mbahet në Prishtinë.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka mbështetur propozimin e Komitetit drejtues për rikonfigurimin e projektit që ofrohet për investime private. Me të renë, projekti do të ndërtohet me kapacitete 1100 megavat.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se përkundër krizës, Kosova si shteti më i ri në botë, i ka qëndruar këtij uragani.
“Vitin e kaluar, kemi pasur rritje 4.4 për qind të GDP-së. Synimet tona janë të kemi rritje mbi 7 për qind”, tha Shala.
Ashtu, siç edhe është përfolur, gjasat për ta fituar këtë projekt i kanë amerikanët. Këtë e dëshmon vetë ardhja e disa kompanive amerikane në Kosovë. Edhe përfaqësuesja e USAID`it, gjatë fjalimit të saj, tri herë ka theksuar se Qeveria e SHBA-së e mbështet fuqishëm këtë projekt.
Michael J. Gregory, investitor nga Texasi i SHBA-së, ka thënë se projekti ka potencial, por ka kërkuar transparencë nga Qeveria.
“Kosova ka mundësi të jetë një prodhues i lirë i energjisë dhe ta eksportojë në vendet në rajon dhe me çmime jo shumë të shtrenjta”, ka thënë Gregory.
Më bindëse ka qenë kompania tjetër amerikane, “Alpha Development Corporation”. Mark Rodriguez, nga kjo kompani, tha se po shikohet mundësia për të hyrë në këtë projekt.
“Ky projekt është interesant dhe duam të besojmë që është serioz”, ka thënë Rodriguez.
Banka Botërore dhe Komisioni Evropian kanë dhënë dritën jeshile.
Drejtori i Bankës Botërore, Ranjit Nayak, tha se mungesa e energjisë elektrike ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Përveç ngritjes se nivelit të energjisë, sipas tij, komponentë kyçe e Bankës Botërore është edhe sigurimi i qëndrueshmërisë mjedisore. Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të jetë aksionar dhe partner me fituesin e projektit Kosova e Re.