E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Akuzat për trafik organesh, Del Ponte kundër vetvetes”

Kryeministri Sali Berisha hedh poshtë zyrtarisht akuzat e Karla Del Pontes, sipas të cilës në veri të Shqipërisë gjatë luftës në Kosovë janë kryer trafik organesh të ushtarëve serbë.

Në një intervistë për BBC, kreu i qeverisë është shprehur se me këto akuza Del Ponte ka akuzuar veten e saj, duke qenë se ka ushtruar më parë funksionin e kryeprokurores. “Shqipëria nuk ka asgjë për të fshehur ndaj askujt, por meqenëse Kombet e Bashkuara kanë ngritur një gjykatë ndërkombëtare për këtë çështje, në çdo aspekt Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë e hapur ndaj kësaj gjykate. Por, sinqerisht më vjen keq, se duke qenë në krye të kësaj gjykate për kaq shumë vite, me anë të këtyre akuzave duket se (del Ponte) akuzon më tepër vetveten. Pse ajo nuk vjen për të më takuar mua? Unë e njoh atë”, është shprehur Kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, është bërë një hetim nga prokurorë kombëtarë e ndërkombëtarë dhe nuk është gjetur asnjë provë lidhur me këto akuza. Ndërkohë që pyetjes se përse bëhen këto akuza, Berisha iu përgjigj se, “unë nuk mund ta di psikologjinë e saj. Ajo që di është se, ajo nuk ka paraqitur kurrë kërkesë zyrtare ndaj qeverisë time për këtë çështje. Sigurisht, në çdo rast do të jepja ndihmën time. Qëndrimi im është publik: nëse ka krime lufte ato duhet të ndëshkohen, pavarësisht etnisë ose origjinës dhe unë e mbështes plotësisht këtë parim”. Duke folur për situatën në rajon, kreu i ekzekutivit tha se problemet që qëndrojnë aktualisht do të zgjidhen, duke shprehur bindjen se Serbia nuk ka rrugë tjetër veç asaj evropiane. Problemi më i madh, sipas tij, qëndron pikërisht në disa komuna të Mitrovicës, të cilat po manipulohen nga Beogradi. “Inkurajimi i rreziqeve në rajon, duke u bazuar në shtete entinikisht të pastra, është shumë i padobishëm për të gjithë ne. Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë shumë i qartë me Beogradin”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›