E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koshtunica në Kosovë, Thaçi refuzon komentet

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica ka vizituar dje Zubin Potokun në Kosovë, duke kryer një tubim elektoral, krejtësisht i ndaluar nga UNMIK dhe rezoluta 1244. 

Edhe pse ligjërisht zgjedhjet lokale serbe nuk duhet të mbahen në Kosovë, Serbia po i shkel të gjithë rregullat dhe po injoron paralajmërimet e ndërkombëtarëve, duke i kryer këto zgjedhje. UNMIK ka deklaruar dhjetëra herë se zgjedhjet lokale serbe duhet të frenohen dhe se kundër tyre do të merren masa, pa specifikuar se çfarë masash do të jenë ato. Kreu i qeverisë së Serbisë, lider i koalicionit DSS –Serbia e re iu drejtua serbëve në sheshin qendror të fshatit Zubin Potok për të kërkuar vota mbi zgjedhjet e 11 majit. Bashkë me Koshtunicën ishte edhe ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç. Sipas zyrtarëve serbë, serbët e Kosovës do të kenë parlamentin e tyre. Presidenti Fatmir Sejdiu refuzoi në mënyrë kategorike ekzistencën dhe lejimin e krijimit të strukturave paralele. Liderët e UNMIK thanë se, zgjedhjet serbe janë ilegale por nuk do të pengohen me force prej UNMIK-ut, ato thjesht do të quhen të pavlefshme, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka dashur të komentojë mbi vizitën e homologut të tij serb, Koshtunica në Kosovë. Ai i ka bërë thirrje Beogradit që të distancohet nga përpjekjet që nxisin dhunë në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›