E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Akuzat e Prokurorisë përpjekje primitive

12/12/2008  Qeveria reagon ndaj veprimeve të organit të akuzës për ministrin Lulëzim Basha

Qeveria shqiptare i konsideron akuzat e ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme ndaj ministrit Lulëzim Basha si përpjekje primitive dhe të dështuara për ta shndërruar organin e akuzës në një parti politike nga armiq dhe kundërshtarët e rrugës Durrës–Kukës. Përmes zëdhënëses Majlinda Bregu qeveria u shpreh dje se ndërtimi i rrugës Durrës–Kukës, veprës më madhore të shqiptarëve, është realizuar dhe mbështetet tërësisht dhe ekskluzivisht në vendimet e Këshillit të Ministrave, që janë marrë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. “Secili prej këtyre vendimeve është marrë në kushtet e transparencës, mirinformimit dhe përgjegjshmërisë së plotë ligjore të Këshillit të Ministrave”, - u shpreh Bregu. Sipas saj, qeveria hedh poshtë pretendimet absurde se i ka marrë këto vendime në kushtet e mosinformimit të plotë apo të keqinformimit nga ministri Basha si trillime të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike apo ligjore, por që synojnë të rikthejnë në Shqipëri kohën e dënimit kolektiv. Në lidhje me akuzën se ministri Basha ka shkelur barazinë në tendera në rastin e përzgjedhjes së konsulentit ndërkombëtar, Bregu u shpreh se kjo është një manipulim i pastër me faktet dhe ligjin, pasi përzgjedhja e këtij konsulenti nuk është bërë me tender, por në përputhje me ligjin për prokurim të drejtpërdrejtë nga Këshilli i Ministrave, i cili ka marrë të gjitha përgjegjësitë ligjore me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 460, datë 10 korrik 2006. “Qeveria deklaron se ky vendim për përzgjedhjen e konsulentit ndërkombëtar është marrë në kushtet e disponimit të të gjithë informacionit dhe rrethanave të nevojshme. Ky vendim shpreh vullnetin politik për të proceduar me ndërtimin e përshpejtuar të segmentit Rrëshen–Kalimash, në kushtet e mungesës së projektit”, - tha Bregu. Sipas saj, hartimi i këtij projekti teknik u autorizua po nga Këshilli i Ministrave, me vendim nr. 158, datë 15.03.2006. Më tej, zëdhënësja e qeverisë theksoi se pretendimi se këto vendime bien ndesh me njëri-tjetrin është po kështu një abuzim i pastër. “Këto dy vendime janë pjesë e pandarë e të njëjtit vullnet të Këshillit të Ministrave për ndërtimin e së njëjtës vepër. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 15.03.2006, u autorizua hartimi i projektit teknik për segmentin Rrëshen–Kalimash, ndërsa me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 460, datë 10 .07.2006, u autorizua marrja e konsulencës së veçantë për kontraktimin e ndërtuesit të segmentit Rrëshen–Kalimash me metodën projektim-ndërtim”, - tha Bregu, duke shtuar se është trill i qartë, absurd, qesharak dhe i pabazë pretendimi i prokurorisë se ministri Basha i ka fshehur Këshillit të Ministrave një vendim të marrë po nga Këshilli i Ministrave. “Qeveria me vendimin për përzgjedhjen e konsulentit ndërkombëtar mundësoi fillimin e bërjes realitet të projektit Rrëshen–Kalimash brenda një kohe shumë të shkurtër. Më 4 shkurt të vitit 2007, pas një pune paraprake disamujore, ky projekt u inaugurua zyrtarisht me fillimin e punimeve në tunel”, - tha Bregu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›