E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton 7 anëtarët e rinj të KQZ

Kuvendi ka miratuar mbrëmë me votë te fshehtë me elektronikë shtatë anëtarët e rinj dhe kryetarin e KQZ-së. Me 98 vota pro, 9 kundër dhe 7 abstenime, deputetët e mazhorancës dhe të opozitës kanë zgjedhur Arben Ristanin si kryetarin e ri të KQZ-së. Anëtari tjetër i propozuar nga PR-ja, por që ka mbështetjen e PD-së, Klemend Zguri, ka marrë 98 vota pro, 15 kundër dhe 2 abstenime, duke u bërë kështu pjesë e KQZ-së. Propozimi i PSD-së, Pandeli Varfi, do të jetë anëtari i tretë i KQZ-së, emri i të cilit ka marrë 96 vota pro, 11 kundër dhe 6 abstenime. Kandidatura e PS-së, Dëshira Subashi, ka marrë 100 vota pro, 8 kundër dhe 5 abstenime. Po kështu, maksimumin e votave ka marrë edhe kandidatura tjetër e PS-së, Artan Lazaj, i cili do t‘i bashkëngjitet KQZ-së. Lazaj ka marrë dje në Kuvend 102 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime. Kandidati më i votuar ka qenë propozimi i PD-së, Hysen Osmanaj, i cili ka marrë 103 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime. Ndërsa Vera Shtjefni ka marrë 100 vota pro, 10 kundër dhe 4 abstenime. Sipas Kodit Zgjedhor, brenda 24 orëve, anëtarët e rinj të KQZ-së duhet të bëjnë betimin te Presidenti i Republikës dhe më pas realizohet mbledhja e konstituimit të tyre, e cila fillon me zgjedhjen e nënkryetarit të KQZ-së. Këtë herë, pritet që numri dy i KQZ-së të jetë një grua, pikërisht anëtarja e propozuar nga PS-ja, Dëshira Subashi. Pas këtij procesi, KQZ-ja duhet të nisë punën për të përgatitur infrastrukturën për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen më 28 qershor. Fillimisht KQZ-ja e re duhet të nisë punën me ndarjen e mandateve të deputetëve të Kuvendit të ri në rang qarqesh, e cila më pas ia kalon Kuvendit për miratim. Votimi në Kuvend kryhet me procedurë të përshpejtuar, pra në momentin e parë që ndarja paraqitet në Kuvend, kryetarja e fut në proces votimi. Gjithashtu KQZ-ja duhet të nisë punën me listat e zgjedhësve për të, duke kërkuar variantin e saktë dhe përditësimin e tyre pas pastrimit nga dublimet që bëjnë gjendjet civile. Regjistrimi i partive politike është një tjetër procedurë e cila kryhet para datës së zgjedhjeve nga KQZ-ja. Po kështu, ky institucion duhet të vendosë për hartimin e fletëve të votimit, të cilat duhet të çohen më pas për t‘u shtypur dhe për të qenë gati ditën e zgjedhjeve. Puna për ngritjen e komisioneve zgjedhore është një tjetër pikë, e cila duhet të marrë drejtim nga institucioni i KQZ-së, duke pasur parasysh se në shumë raste komisionet zgjedhore janë bërë objekt debatesh mes partive politike.

Tabela

KQZ e re

Kryetar

1. Arben Ristani

Zëvendëskryetar

2. Dëshira Subashi (favorite PS)

Anëtarë

3. Artan Laze (PS)

4. Pandeli Varfi (favorit PSD)

5. Hysen Osmanaj (PD)

6. Vera Shtjefni (PD)

7. Klemend Zguri (favorit PR)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›