Kuvendi voton Admir Thanzën si anëtar të ri të Kushtetueses
Me 107 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi ka miratuar dje dekretin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për emërimin e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, Admir Thanza. Ai do të zëvendësojë në Gjykatën Kushtetuese Gjergj Seulin, i cili ka lënë detyrën pasi kishte mbushur moshën e pensionit. Emri i Thanzës është propozuar gati dy javë më parë nga Presidenti i Republikës dhe vetëm mbrëmë, kryetarja Topalli ka vendosur të fusë në rendin e ditës. Deri më datë 20 janar, Admir Thanza ka mbajtur postin e anëtarit të KLD-së. Gjithashtu ai ka mbajtur edhe postin e anëtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Ligji parashikon se në rastet kur vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Kushtetuta parashikon që Presidenti i Republikës të emërojë me pëlqimin e Kuvendit një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.