E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzë Berishës se mban të bllokuar draftin e LSI-së për të moshuarit

Tiranë, 1 tetor 19:21 NOA - Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputeti Dritan Prifti ka folur sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Moshës së Tretë. Ai ka akuzuar kryeministrin Berisha se po mban të bllokuar projektligjin e LSI-së për kujdesin ndaj moshës së tretë.

“Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që të ndërgjegjësojë Qeverinë, të ndërgjegjësojë parlamentin në lidhje me kujdesin e shtetit ndaj moshës së tretë, ndaj pensionistëve, si mosha që është në gjendjen më të vështirë ekonomike sot në Shqipëri”, - deklaroi Prifti, një nga ish-drejtuesit e KESH në periudhën e krizës së rëndë energjetike në vend.

“Kemi parë nëpër lajme që Kryeministri Berisha ka shkuar të vizitojë qendrën e moshës së tretë në Tiranë, dhe ka dhënë shumë premtime për të përmirësuar gjendjen e moshës së tretë, të pensionistëve dhe të moshuarve në Shqipëri”, - vijoi Prifti.

Sipas tij, Berisha duhet të kishte filluar të punonte për moshën e tretë që në fillim të mandatit të tij dhe jo të kujtohej në vitin e fundit të mandatit, në vitin elektoral.

“Pra për të bërë mashtrimet e radhës për moshën e tretë, për të bërë mashtrimet e radhës për pensionistët dhe meqë sot është Dita e Moshës së Tretë, ne do t'i kërkojmë Berishës dhe mazhorancës në Parlament, por edhe pjesës tjetër të opozitës në Parlament, të mbështesin ligjin që ka bërë Lëvizja Socialiste për Integrim për kujdesin ndaj moshës së tretë”, theksoi Prifti.

Ai theksoi dhe faktin se asnjëherë në historinë e vendit tonë, që pas viteve '90, një forcë politike nuk ka dërguar në parlament një ligj për kujdesin shtetëror ndaj moshës së tretë. “Ka qenë Lëvizja Socialiste për Integrim, Kryetari i saj, deputeti Ilir Meta, i cili ka propozuar një ligj krejtësisht të ri, një ligj krejtësisht modern, një ligj i cili është në përputhje të plotë me kartën e Madridit për moshën e tretë, është në përputhje të plotë me standardet evropiane për kujdesin që duhet të ketë shoqëria dhe shteti ndaj moshës së tretë”, tha Prifti.

Këtu ai evidentoi se “ne e kemi dorëzuar Projektligjin, më shumë se katër muaj më parë në Parlament, i cili është shumë human, i cili është një zgjidhje për problemet e mëdha që ka mosha e tretë dhe pensionistët në Shqipëri dhe deri tani Qeveria e Berishës nuk ka bërë asgjë për aprovimin e këtij ligji”.

“Madje, - akuzoi Prifti, - e ka bllokuar ligjin në Këshillin e Ministrave, një ligj i cili ofron një seri shërbimesh dhe përkujdesjesh ndaj moshës së tretë, duke filluar që nga shërbimi shëndetësor falas, për të gjitha shërbimet dhe aparaturat, që nga shërbimi shëndetësor në familje, shërbimi falas me ilaçe, trajtimi me strehim prioritar, vendosjen në qendrat e kujdesit ndaj moshës së tretë, një pension i trembëdhjetë për moshën e tretë, e drejta e transportit pa pagesë apo me gjysmë çmimi për moshën e tretë”.

LSI thotë se këto janë masa sociale, të cilat nëse do të aprovohen në këtë ligj, do të kenë një ndikim të menjëhershëm të gjendjes ekonomike të moshës së tretë.

“Pra, i bëjmë thirrje nga kjo tribunë kryeministrit Berisha, të mos mbajë të bllokuar ligjin "Për përkujdesin shtetëror ndaj moshës së tretë", të cilin e ka propozuar LSI-ja dhe e ka dorëzuar në parlament disa muaj më parë”, apeloi Prifti.

Ai foli dhe me gjuhën e shifrave, kur tha se kostoja financiare e këtij ligji është vetëm 70 milionë dollarë, një kosto e cila është plotësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit. “Mjafton, 1/3 e rritjes vjetore e buxhetit të shtetit, t'i jepet për zbatimin e këtij ligji, ligji është menjëherë i zbatueshëm”, nënvizoi Prifti.

Ai po ashtu vuri në dukje se nuk ka një ligj, i cili ndikon kaq shumë te qytetarët shqiptarë, pasi janë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë që janë sot në moshën e tretë dhe që përfitojnë nëpërmjet aprovimit të këtij ligji.

“Nuk ka një ligj tjetër, përveç ligjeve të taksave, që vijnë në Parlament, që të ketë një ndikim kaq pozitiv, me ndikim kaq të madh me një numër kaq të madh të popullsisë në Shqipëri, janë rreth 500 mijë pensionist dhe të moshuar, që përfitojnë nga ligji jonë i moshës së tretë dhe kostoja është pothuajse 1.5 për qind apo 2 për qind e buxhetit të shtetit”, përfundoi Prifti.

d.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›