E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat në zonat turistike, letër të hapur autoriteteve për Palasën

Vlorë, 1 tetor 11:16 NOA – Çështja e pazgjidhur e pronës në zonën turistike të jugut të vendit, ka detyruar inxhinierin Maksim Dhimolea, pronar në fshatin Palasë të Bregdetit, të dërgojë një letër të hapur për të gjitha autoritetet qendrore por edhe për politikanët dhe mediat.

Në këtë letër, Dhimolea, anëtar edhe i Shoqatës A.K.Bregdeti, shton një varg pyetjesh ndaj autoriteteve duke u përpjekur të zbardhë pse janë shkelur sipas tij, dy nene të Kushtetutës që lidhen me të drejtën e pronës.

Më poshtë vijon letra e plotë e Dhimoleas:
Pyetje publike drejtuesve te shtetit dhe politikanëve: pse shkelni nenet 181/2 dhe 41 të kushtetutës?
Të nderuar drejtues të shtetit shqiptar
Unë, Maksim Dhimolea, nga fshati piktoresk dhe turistik i Palasës. Ju drejtohem me këtë letër publike të gjithëve ju që drejtoni Shqipërinë: Presidentit, Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit, deputetëve dhe pushtetarëve. Nëpërmjet medias që me siguri e ndiqni dëshiroj t’ju them publikisht se Ju jeni shkelësit e Kushtetutës, të kapitullit të lirive dhe të drejtave të njeriut të neneve 4, 181 dhe 41 të, pasi dhe jeni përgjegjësit që vazhdoni ta mbani të ngatërruar problemin e pronës private.
Përjashtim të qartë nga ky grup që shkel këtë të drejtë themelore bën Kryetari i Bashkisë Himarë, Vasil Bollano, disa kryetarë vendorë dhe pleqësitë e disa fshatrave, që janë shprehur kundër anarkisë së titujve të pronësisë dhe pro kthimit të pronës te pronari. Kjo është arsyeja që z. Bollano gëzon respektin e popullit dhe edhe unë dëshiroj ta falënderoj publikisht. Bollano dhe të gjitha ata që do të veprojnë konkretisht për të kthyer pronën te pronari, po luftohen nga ata që kanë përfituar padrejtësisht, luftohen nga mafia e trojeve turistike dhe mafia e ndërtimit por ata gëzojnë respektin dhe mbështetjen e popullit të Bregdetit, që përbën shumicën absolute.
Pas mbledhjes së Kuvendit të organizuar nga Shoqata Bregdeti në Qytetin e Himarës me datën 10 Gusht 2008, Kryetari i Bashkisë Himarë, Bollano është kritikuar në media sikur gjoja nuk do të zbatojë ligjet e shtetit. Unë mendoj se veprimtaria e Kryetarit të Bashkisë Himarë është për t’u lavdëruar dhe për tu mbështetur nga të gjithë që nga Presidenti i Republikës deri tek deputeti e pushtetari më i vogël, sepse vullneti i kryetarit të Himarës, Bollanos, për të kthyer pronën tek i zoti, është në përputhje të plotë me nenin 4.3 të Kushtetutës që thotë se Kushtetuta zbatohet drejtpërdrejtë.
Në Qarkun e Vlorës shteti ligjor nuk funksionon dhe këtu ligjet nuk zbatohen si në pjesët e tjera të Shqipërisë. Në zonën turistike zbatohet një standard i ndryshëm nga ai që është zbatuar nga Tropoja deri në Krujë dhe në shumë rrethe të tjera të vendit ku prona ju është kthyer të pronarëve sipas kufijve të vjetër. Padrejtësia me pronën e trashëguar në zonat turistike nuk është vetëm për familjen dhe pronën time në Palasë, por edhe për shumë familje të tjera autoktone që vazhdojnë të jenë të zhveshur nga prona e tyre e trashëguar. Ashtu siç protestuan në rrugë këto ditë pronarët e Ujit të Ftohtë edhe të Dukatit, kemi të drejtë të protestojmë edhe unë dhe shumë familje të tjera pronare në zonën turistike për talljen e deritanishme ndaj detyrimeve kushtetuese dhe neglizhencën për të respektuar të drejtat tona të ligjshme për të gëzuar pronën e trashëguar. Po mbushen 18 vjet nga
 përmbysja e diktaturës dhe familja ime ashtu si shumë familje të tjera të Bregdetit turistik Vlorë Sarandë nuk i është kthyer me ligj prona e trashëguar. Kjo situatë e nderë vazhdon sepse politika e pas viteve 1991, e konsideron pronën e grabitur nga diktatura e Enverit si pronë të mirëfilltë të shtetit. Politikanët e pas vitit 1991, duke mos pyetur për detyrimet kushtetuese dhe kërkesat e institucioneve ndërkombëtare, kanë imponuar dhe imponojnë ligje që nuk respektojnë titujt e pronësisë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe të drejtat themelore të njeriut.   
Me burokracinë aktuale si rregull Komisioni i Kthimit të pronave pengon në maksimum kthimin e pronës te pronari. Gjatë kohës që prona nuk i kthehet pronarit, nga persona të huaj, por që kanë mbështetjen e politikanëve, pushtohen parcela ku ullinjtë ose agrumet shkulen nga rrënjët, hapen sheshe ndërtimi dhe bëhen ndërtime pa leje. Kur pronari i tokës ankohet, Policia Ndërtimore fërkon duart, shkon në vend dhe si rregull nuk zbaton ligjin, por pasi bën presionin për shembjen e ndërtimit pa leje, merr në dorë një pagesë kesh nga shkelësi i ligjit dhe largohet. Po bëhet e padurueshme heshtja e shtetit ndaj ndërtimeve të paligjshme, të ndërtuara dhe që vazhdojnë të ndërtohen nga personat e tretë në zonën turistike, tentativa për ti legalizuar ata. Këto janë vazhdimësi e dhunës dhe e krimeve të sistemit komunist, që ju drejtuesit e shtetit dhe i gjithë opinioni publik jeni në dijeni. Kjo situatë anarkie, korrupsioni dhe krimi të organizuar nuk mund të mbyllet nëse Kryeministri dhe i gjithë aparati shtetëror nuk angazhohet seriozisht me aksione konkrete.
Me pronat e bregdetit vjedhja është projektuar dhe ka filluar nga maja e kupolës politike por tani që e keqja ka zbritur poshtë në popull, për të shmangur vetëgjyqësitë dhe konfliktet, duhet që ju politikanët të dëgjoni se ç’thonë bregdetasit e ndershëm e patriotë, të organizoni takime dhe tu përgjigjeni peticioneve dhe kërkesave të shoqatës, si dhe kërkesave të Këshillit të Evropës.
Reportazhi për AFP i botuar në media ditën e shtunë datë 20.09.2008, për problemin e pronave në zonën turistike, ishte i drejtë. Në këtë reportazh ministri aktual i drejtësisë dhe ai i bujqësisë raportuan për përvetësimet e pronave, në shkelje të titujve të pronësisë dhe shkelje e detyrimeve kushtetuese. Në të njëjtin reportazh Kryetari i Komitetit të Pajtimit Kombëtar Gjin Marku, me plot të drejtë ka ngritur zërin lidhur me konfuzionin e titujve të pronësisë të krijuar pas vitit 1991, dhe raporton se në këto 15 vjet për këtë shkak janë të paktën 2000 të vrarë. Duhet vlerësuar se janë po aq familje në gjak dhe në hasmëri dhe shkaktarët jeni ju drejtuesit e shtetit. Kjo nuk është demokraci perëndimore, kësaj nuk i thonë zhvillim, kështu nuk ka stabilitet social dhe mos kthimi i pronës tek i zoti është gropa e zezë për Shqipërinë dhe situata e deritanishme është vetëm maja e ajsbergut. Gërdeci që mbahet si tregues i korrupsionit qeveritar, është shumë i vogël para anarkisë së pronës me trojet turistike.
Kryeministri Berisha ka shumë të drejtë që kërkon të klasifikojë si vepër penale punën e zezë, por mendoj se shkelja e nenit 181/2 dhe 41 të Kushtetutës është vepër penale shumë herë më e rëndë për kushtet dhe kohën që po zhvillohet, si dhe për qëllimet dhe pasojat sociale dhe ekonomike të saj. Kush duhet të përgjigjet për këtë situatë kaq flagrante dhe kaq dëmprurëse për zonën e Bregdetit dhe gjithë Shqipërisë? Ju z. President i Republikës, ju znj. Kryetare e Kuvendit dhe ju z. Kryeministër, si institucione prioritare dhe garante për zbatimin e Kushtetutës që vazhdon të shkelet, jeni të lutur të mos neglizhoni më tej por të fusni në rrugën e zgjidhjes institucionale kërkesat e paraqitura në Rezolutën e Kuvendit të VIII-të Mbarëbregdetar, për kthimin e pronës së trashëguar, të mbajtur në Himarë me 10 Gusht 2008. Kjo Rezolutë që është botuar në disa gazeta me datën 6 shtator 2008, por që më parë është dërguar me postë në emrin tuaj, deri tani ka mbetur pa asnjë përgjigje nga ana juaj. Mendoj se heshtja dhe neglizhenca për këtë problem me rëndësi parimore dhe kombëtare nuk është shenjë e demokracisë.
Ju lutem të prononcoheni në media për kërkesat e kësaj Rezolute, si dhe kur, e në ç’mënyrë do të angazhoheni për të ndëshkuar mafien e trojeve, kur do të jetë zhdukur anarkia e titujve të pronësisë dhe kur do të vendoset shteti ligjor, kur do të përfundojë kthimi fizik i pronës tek i zoti edhe në këtë pjesë të rëndësishme të vendit ashtu siç është bërë me kohë në gjithë pjesën veriore dhe verilindore të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›