Dako: Shtyrja e buxhetit, antikombëtare
DURRES - “Antikombëtar!”. Të tillë e ka cilësuar kryebashkiaku Vangjush Dako, vendimin e këshilltarëve të djathtë për të bllokuar votimin për buxhetin. Ky reagim ka ardhur përmes një konference për shtyp, të mbajtur tre ditë pas seancës së fundit në këtë këshill. Bashkia e Durrësit, rrezikon të mbetet pa buxhet nëse palët e kundërta në bindje politike nuk bien dakord. Pavarësisht se kësaj here këshilltarët e LSI-së kanë qenë me të njëjtën mendje me ato të PS-së, pa votat e të djathtës ky buxhet është i destinuar të rrëzohet. Në seancën e disa ditëve më parë buxheti i vitit 2009, nuk u arrit dot as të futej në rendin e ditës, pasi të djathtët u larguan nga Këshilli. Sipas Dakos e djathta po përdor si strategji bojkotin, pasi Komisioni i Ekonomisë i drejtuar nga Arqile Gorea, përfaqësues i PD-së, as nuk është mbledhur për të diskutuar buxhetin, i cili duhej të ishte miratuar brenda 31 dhjetorit të shkuar. o.u