Bllokohen makinat me targa false
GJIROKASTER - Bllokohen 30 makina që qarkullonin me targa të falsifikuara në Gjirokastër. Policia i kaloi më pas mjetet në qendrën e grumbullimit në Dragot të Tepelenës. Drejtuesit e Inspektoratit të Qarkullimit në Policinë e Gjirokastrës shprehën shqetësimin e tyre se ky fenomen është gjithnjë e në rritje sidomos nga të rinjtë, të cilët lëvizin me mjete të fundit. Por në shumë raste ato kanë targa që nuk korrespondojnë me dokumentet origjinale. Sipas policisë, janë konstatuar raste kur me të njëjtën targë qarkullojnë pesë automjete njëherazi. Për të përballuar të gjithë fluksin e lëvizjeve të këtyre makinave, policia ka forcuar masat e kontrollit. “Mospajisja e automjeteve me dokumentacionin e parashikuar në ligj dhe qarkullimi i tyre me targa të falsifikuara, është precedent i rrezikshëm për ngjarje me pasoja të rënda, duke përfshirë edhe aksidentet automobilistikë”, thanë inspektorët e qarkullimit.