E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzë milionerit, vodhi me sheshet e ndërtimit në Tiranë

 

Dashamir Biçaku

Policia çoi dje për ndjekje penale në Prokurori, një person që akuzohet se mashtronte biznesmenët duke u premtuar sheshe ndërtimi në Tiranë. Kadri Çuka, i akuzuar tashmë për mashtrim, dyshohet se i ka marrë një biznesmeni 100 milionë lekë, duke i premtuar një sipërfaqeje prej 920 metra katrorë tokë për ndërtim. Policia dërgoi për ndjekje penale të dyshuarin, që sipas kallëzimit të bërë nga subjekti i dëmtuar, kishte katër vite që kishte marrë paratë dhe nuk kishte mbajtur premtimin. Kadri Çuka, 46 vjeç nga Librazhdi, banues në Tiranë, është dërguar nga policia e kryeqytetit për ndjekje penale në prokurorinë e rrethit. Ndaj tij, sipas policisë, është bërë denoncim nga një përfaqësues i firmës së ndërtimit “Skuka”. Policia thotë se 46-vjeçari me banim në rrugën “Hamid Shijaku”, në afërsi të shkollës teknologjike, akuzohet për veprën penale të mashtrimit me shuma të mëdha ndaj të tretëve. Sipas burimeve zyrtare të policisë, shuma për të cilën është akuzuar Kadri Çuka kap shifrën e 100 milionë lekëve të vjetra. Paratë, sipas policisë, janë marrë së paku katër vite të shkuara, në bazë të një kontrate për ndërtimin e një godine në rrugën “Hamid Shijaku” në kryeqytet. Sipas kallëzimit të bërë nga të dëmtuarit në polici, prej kohës së pagesës së parave, katër vite të shkuara, asnjë punë nuk ishte kryer në sipërfaqen e premtuar prej rreth 920 metër katrorë. Pas periudhës 4-vjeçare drejtuesit dhe menaxherët e firmës së ndërtimit “Skuka”, kanë vendosur të denoncojnë pranë policisë së kryeqytetit njeriun, që sipas tyre i kishte mashtruar duke u marrë 100 milionë lekë, me premtimin se do t’u shiste sheshin e ndërtimit.
“Vjedhja”
Tri ditë më parë korrieri i Drejtorisë së Tiranës, mes grumbullit të shkresurinave, ka lënë në sekretarinë e Prokurorisë edhe denoncimin ndaj Kadri Çukës. Burime të policisë pohuan se menaxheri i firmës në emër të subjektit “SKUKA”, ishte ngarkuar për të negociuar me 46-vjeçarin që pretendonte se një sipërfaqe trualli në rrugën “Hamid Shijaku”, ishte në pronësi të tij dhe do ta shiste. Në fund është rënë dakord që për këtë të kryhej një pagesë prej 100 milionë lekësh të vjetra, të cilat i janë paguar Kadri Çukës. Pas më tepër se katër vitesh tentativa për ndërtim në truallin e premtuar, palët kanë menduar ta zgjidhin në organet kompetente konfliktin, duke kryer kallëzimin në polici për shkak se asnjë veprim nuk ishte kryer, ngase personi që mori paratë u zhduk dhe nuk paraqiti asnjë dokument pronësie për tokën në Kombinat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›