Vetëvaret nga depresioni 52-vjeçari në Yrshek
TIRANE -Vetëvaret në gjendje depresive 52-vjeçari. Xhemal Osmanaj, banues në fshatin Yrshek, rreth 5 km në perëndim të Tiranës, është gjendur i vetëvarur nga të afërmit e tij në ambientet e brendshme të banesës. Policia është lajmëruar nga fqinjët dhe menjëherë ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. Vetëvrasja mësohet se ka ndodhur paraditen e të dielës, kur 52-vjeçari kishte varur veten i mbyllur në një nga dhomat e shtëpisë. Familjarët që nuk po e gjenin kanë vazhduar kërkimet për të afërmin e tyre. Gjatë këtyre veprimeve, ata kanë vënë re se dera e një prej dhomave të shtëpisë ishte e mbyllur dhe kanë dyshuar. Menjëherë dera e dhomës që qëndronte e mbyllur është shpërthyer, ndërsa skena me të cilën janë përballur ka qenë e paparashikuar. Pas ngjarjes, policia është njoftuar dhe ka mbërritur në banesën e familjes Osmanaj, për të kryer veprimet hetimore. Nga deklarimet e para dhe nga këqyrja e trupit të viktimës, policia ka konkluduar se 52-vjeçari ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike. Madje, para vetësakrifikimit, sipas policisë, 52-vjeçari nga Yrsheku kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga mjekët ligjorë pas kryerjes së autopsisë së viktimës. Policia pas kryerjes së tërë veprimeve hetimore, ka konfirmuar se ngjarja ka qenë një rast vetëvarjeje.