E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akuzë për tre vrasje, i shpëton burgut të përjetshëm

19/01/2005  TIRANË – Kol Gjonlulaj i ka shpëtuar burgimit të përjetshëm, vetëm se kërkesa e tij për gjykim të shkurtuar mbështetet në ligj. Megjithëse kjo kërkesë e bërë nga avokati dhe pranuar nga i pandehuri, (që nuk e dinte se çfarë do të thoshte), u kundërshtua nga prokurori i çështjes, në seancën e djeshme u bë "shpëtimtarja" nga burgu i përjetshëm. Nëntë vepra penale. Të gjitha janë të vërtetuara më së miri. Asnjë kundërshtim nga i pandehuri. Tre persona të vrarë, disa të plagosur, vjedhje me armë, vjedhje me pasojë vdekjen, vjedhje me maska, vjedhje e mbetur në tentativë, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Akuza

Prokurori i ra shumë shkurt leximit të konkluzioneve, pasi gjykimi i shkurtuar i paraqiti shansin për të mos u zgjatur me marrjen e provave në seancë gjyqësore. Gjykimi i shkurtuar duket se është vënë si hallkë në Kodin e Procedurës Penale për ekonomi gjyqësore. Për të gjitha veprat penale në bashkëpunim, prokurori kërkoi dënimin e të pandehurit Kol Gjonlulaj, me burgim të përjetshëm. Si përfundim, në aplikim të nenit 55, dënimi zbriti në 25 vjet. Kol Gjonlulaj, gjatë vitit 1998 dhe 1999, në bashkëpunim me persona të tjerë, për të cilët nuk është bërë identifikimi, ka kryer disa vepra penale. Vetë i pandehuri nga Shkodra nuk e dinte se çdo të thoshte gjykim i shkurtuar. Ai nuk i ka pranuar akuzat, por ka qenë i detyruar të pranojë gjykimin e shkurtuar, ashtu si e rekomandoi avokati Qazim Gjonaj. Kur i pandehuri Kol Gjonlulaj dëgjoi nga gjykata se, çështja zgjidhej me gjendjen që janë aktet, reagoi, por avokati nuk e la të vazhdonte më tej. Për avokatin, gjykimi i shkurtuar do të ndihmojë klientin e tij, duke i hequr mundësinë e dënimit me burgim të përjetshëm. Prokurori i çështjes nuk e pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar, por vendimi ishte i gjykatës.

Akuzat

Brenda një seance gjyqësore filloi dhe mbaroi hetimi gjyqësor për të pandehurin. Vetë ai nuk pati mundësinë të thotë asnjë fjalë. Sipas prokurorit, i pandehuri ka marrë pjesë në disa vepra penale të kryera në bashkëpunim. Për të procedimi penal ka filluar në datën 23 mars 2004. Më pas, ky procedim u bashkua me atë të datës 26 mars 2004. Akuza ka shënuar në dosje se, i pandehuri e ka filluar veprimtarinë e tij në bashkëpunim me persona të tjerë, në datën 10 qershor 1998. Ai i armatosur, me maskë në fytyrë dhe me rroba ushtarake, bashkë me persona të tjerë, i ka dalë një furgoni përpara dhe i ka bërë shenjë për të ndaluar. Kur furgoni me pasagjerë nuk ka ndaluar, i pandehuri ka qëlluar me automatik. Si pasojë është plagosur shtetasi Pjetër Hasa dhe dy të tjerë, Genti dhe Jak Hasa. Në datën 6 tetor 1998, në orën 03.00 të mëngjesit, i pandehuri ka vrarë brenda në shtëpinë e tij shtetasin Mark Zojza. Vrasja është kryer me paramendim. Në vendin e ngjarjes u gjetën 27 gëzhoja të qitura nga automatiku i gjendur në shtëpinë e të pandehurit. Sipas akuzës, i pandehuri e ka planifikuar këtë vrasje, pasi me të ka patur disa hesape për të larë. Në datën 18 mars 1999, akuza tha se, i pandehuri në bashkëpunim me persona të tjerë është futur në shtëpinë e shtetasit Musa Popaj, për të grabitur. Pasi ka kontrolluar të gjithë shtëpinë dhe ka marrë prej andej çfarë deshi, i pandehuri ka vrarë Musa Popajn si dhe nusen e djalit të tij, Taze Popaj. Ka bërë disa vjedhje me armë, të cilat kanë mbetur në tentativë. Të gjitha veprat janë kryer në bashkëpunim.

Vendimet

Vjedhje me armë me pasojë vdekjen, burgim i përjetshëm

Vrasje me paramendim në bashkëpunim, 25 vjet heqje lirie

Vrasje e mbetur në tentativë në bashkëpunim, 15 vite

Vrasje e mbetur në tentativë, bashkëpunim 15 vite burg

Vrasje e mbetur në tentativë në bashkëpunim, 15 vite burg

Vjedhje në bashkëpunim e mbetur në tentativë, 10 vite burg

Vjedhje në bashkëpunim e mbetur në tentativë, 10 vite burg

Vjedhje me armë në bashkëpunim, 10 vite burg

Armëmbajtje pa leje, 5 vite burg

Në bashkim të dënimeve, parashikuar nga neni 55, kërkohet dënimi me burgim të përjetshëm.

Pas pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar, kërkohet dënimi me 25 vite burg përfundimisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›