Pensionet, nga qershori do të merren në bankë
19/01/2005 Pensionistët do të jenë një prej kategorive buxhetore që do të marrin pensionin e tyre nëpërmjet bankës. Afati i tërheqjs së pensioneve në bankë është vendosur në qershor të 2005-ës, por duket se Instituti i Sigurimeve Shoqërore akoma nuk ka dorëzuar një raport të detajuar në lidhje me numrin, nivelin e pensioneve dhe shtrirjen gjeografike të tyre. Ka skaduar në dhjetor të 2004-ës dorëzimi i këtij studimi, ndërkohë që ISSH-ja akoma nuk ka bërë prezantimin e një kërkese për të kaluar fondin e pensioneve në llogaritë e bankave, që më pas të kryejnë shpërndarjen. Por nuk është vetëm çështja e pensioneve që duhej të finalizohej me bankën. Të vonuar në kohë janë dhe ndërmarrjet e Albtelekomit, KESH-it dhe Ujësjellësit, të cilët duhej që deri në shtator të 2004-ës të kishin përfunduar fazën e parë të pagimit të faturave në dyert e bankave. Albposta, gjithashtu është një prej ndërmarrjeve akoma shtetërore, që nuk ka përfunduar procesin e pagimit të faturave prej popullatës në dyert e bankave. Por duket se programi ka çaluar më tepër në lidhje me edukimin e biznesit. Akoma nuk është bërë e mundur të detyrohet biznesi t’i kryejë transaksionet e vera për shumë mbi 500 mijë lekë në bankë dhe aq më pak të detyrohen kompanitë e mëdha private të tërheqin pagat e buxhtorëve në banka. Dhe pse për këto çëshjte afati përfundimtar është lënë qershori i 2005-ës, duket se deri tani asnjë kompani nuk i drejtohet bankës për të tërhequr pagat e punonjësve. Madje, në program çalojnë dhe çështje të pagimit nga ana e biznesit të gjobave ose faturave të tjera në sportelet e bankave.