E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ku do ta marrin rrogën 80 mijë buxhetorë

19/01/2005  Sportelet e bankave do të zëvendësojnë së shpejti punën e financieres në të gjitha institucionet shtetërore, duke shpërndarë dy herë në muaj pagat për të gjithë ata që quhen administratë publike. Eksperienca e 12 institucioneve të para që kanë marrëdhënie vetëm me bankat për të tërhequr pagat apo shpërblimet, së shpejti do të përgjithësohet në të gjitha institucionet e vendit. Urdhri i ministrit të Financave detyron të gjitha instituconet që, deri më 1 mars të kenë gjetur bankën dhe të kryejnë transaksionin e pagave nëpërmjet saj. “Ministri i Financave, Arben Malaj, ka kërkuar që brenda datës 1 mars 2005 të gjitha pagesat e pagave të kryhen nëpërmjet bankës”, ka deklaruar gjatë një konference për shtyp zëdhënësi i kësaj ministrie, Alban Beqja. Ky është një prej afateve që duhet të respektohet nga institucione shtetërore, ndërkohë që deri në shtator e gjithë administrata publike do të drejtohet në dyert e bankave për të tërhequr rrogën mujore. “Deri më 1 shtator, më shumë se 80 mijë punonjës të sektorit publik, të paguhen nëpërmjet sistemit bankar”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Financave. Programi “Përtej parasë” i menduar të zgjasë dy vjet, shpresohet të jetë forma më e mirë e luftës kundër cash–it në ekonomi. Edukimi, duke filluar nga vetvetja, është forma që ka zgjedhur Ministria e Financës për të edukuar më pas publikun dhe biznesin, që të kryejë të gjitha transaksionet nëpërmjet bankave. Ajo çfarë punonjësit do të pëfitojnë nga kjo lëvizje, nuk do të jetë vetëm rroga, por dhe të gjitha shërbimet bankare, që përfitohen në rastin kur ke depozitë bankare. Kështu bankat e para si “Raiffeisen” dhe “Pro Credit”, që kanë filluar të shpërndajnë pagat e institucineve buxhetore, hapin në mënyrë automatike llogari bankare për të gjithë punonjësit që tërheqin pagën te këto banka. Kjo do të thotë që jo vetëm paratë mund të qëndrojnë të depozituara për sa kohë nuk vendos të tërheqësh rrogën, por punonjësit mund të përfitojnë dhe lehtësira të tjera bankare. Kredia over draft është një prej opsioneve, të cilat përfitohen nga kjo kategori punonjësish. Kështu me kredinë over draft ke të drejtë të marrësh pagën e tre muajve menjëherë, pa qenë nevoja të bësh kërkesë në bankë për kredi të vogël. Nga ana tjetër, bankat japin për të gjithë punonjësit që tërheqin pagën kartën e tyre elektronike, me të cilën mund të tërheqësh rrogën tënde dhe nëpërmjet ATM-ve pa qenë nevoja të paraqitesh fare në sportelet e bankës. Të gjitha këto janë konsideruar si bonuse për ata që marrin rrogën në bankë, ndërkohë që bonusi më i madh për ekonominë është reduktimi i qarkullimit të lirë të parave cash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›