E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të miturit pa shtet në Shqipëri

19/01/2005  

Jemi mbledhur sot në këtë tryezë.....këto janë fjalët rutinë që dëgjon jo rrallëherë në seminare, konferenca, tryeza etj., të cilat për qëllim të tyre kanë përmirësimin e kuadrit ligjor dhe social të të miturve në Shqipëri. Ka lloj e soj përfaqësimesh në këto grumbullime honordhënëse, ke nga shoqëria civile, nga seksioni i të miturve në Ministrinë e Rendit nga Ministria e Drejtësisë ka një seksion homolog, nga Komiteti i Mundësive të Barabarta në varësi të Këshillit të Ministrave nga Drejtoria e Shërbimit Social Shtetëror, pjesë e Ministrisë së Punës dhe çështjeve sociale etj. Të gjitha sa më sipër hanë bukë edhe nga “PUNA” që bëjnë për të miturit, ndërkohë të miturit janë pa ligj ose thjesht janë pa shtet. E deri sa janë pa shtet, janë pa politika sociale të mirëfillta, të hartuara për ta. Kjo, pasi strategjitë e bëra me copy paste nga shtetet evropiane, janë dekada dritë larg nga realiteti i dhunshëm dhe kaotik shqiptar. Eshtë e paimagjinueshme për shtete si Bullgaria, Rumania, Çekia etj., që të mitur (me dhjetëra) të ngujohen ndër kulla e shteti të bëjë sehir e gargarë me disa lot dhe disa libra që ju çon ndër kulla e, ndërkohë, në mënyrë paradokse dhe të ngjethshme bën pajtim gjaqesh në mes të Tiranës.

Ka 14 vjet që Shteti shqiptar ka ratifikuar Konventën “Për të drejtat e fëmijëve”, por si dhe shumë akte të tjera ndërkombëtare, ka shërbyer vetëm për notë kualifikuese në sytë e evropianëve, pasi realiteti të fshin xhamin e makinës çdo ditë, atje në Bulevardin ende të quajtur "Dëshmorët e Kombit". Ka raste kur policia i merr zvarrë të miturit, i fut nëpër furgonë se duhet të takojnë prindin e divorcuar, i merr zvarrë dhe u merr gjurmët e gishtave, i merr në pyetje kur dyshohet se kanë kryer ndonjë vepër a kundravajtje penale, pa pyetur për ligje, për kujdestarinë, për prezencën e prindërve në kësi procedurash, për të mos folur për rastin e Sarandës, ku të miturit i kishin lënë në një qeli me të rriturit perversë, të cilët kishin abuzuar barbarisht për shumë kohë me ta, nën heshtjen e gjatë të policëve të rojës. Nuk ka politika sociale, nuk ka asnjë strukturë të ofruar nga shteti, që mund të asistojë fëmijët me probleme, as struktura sociale për riedukim, shkollim për të kaluar traumat psikologjike. Edhe përpëlitjet që po bëhen për të atashuar pranë çdo shkolle ose njësie vendore të Shqipërisë një punonjës social ose një nukleo asistimi për personat në nevojë, është bërë në mënyrë kaotike, ndaj dhe jo rezultative. Jo pak anemike janë festimet shoubërëse të Vitit të Ri me të miturit jetimë të policëve të vrarë, ndërkohë që çdo ditë të vitit ata kanë nevojë për struktura të specializuara, për siguri dhe kushte minimale për të jetuar një fëmijëri modeste, në mënyrë që, mos rrëshqasin në lumë kur ecin mbi dërrasën që lidh fshatin me shkollën, në mënyrë që kur të ankohen se i “bëri të vdekur në dru babai”, mos të dëgjojnë që polici t'i thotë s'ka gjë se yt atë është... Mendoj se nuk ka kohë më për të pritur, pasi fëmijët bëhen shpejt burra dhe gra dhe qenieve të dhunuara kur të rriten nuk mund t'ju japësh leksione për piano se ç'ka është shteti, si funksionon ai. Nesër, kur ai të jetë arrestuar se vodhi, trafikoi, dhunoi, mund të të thotë nga halli mbase se ku ishe ti kur prindërit m'u divorcuan e mbeta rrugëve, ku ishe kur mësim më jepte njëra me diplomë të blerë, që as shqip nuk dinte, kur nuk kisha ku luaja se nëna nuk kish para të më paguante lodrat... Hajde ta bëjmë ligjin për të miturit, zotërinj, ta zbatojmë si rrallëherë dhe të vemë në punë atë mori struktuarsh, që turpërisht hanë bukën e të miturve kot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›