E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzë për vrasje ndërtuesit të pallatit

 

Trazhgim Sokolaj

Presidenti i firmës që ndërtoi pallatin e shembur në Gjirokastër në nëntor 2008, dërgohet i pandehur në gjykatë bashkë me 6 persona të tjerë, për akuzën e vrasjes. Sotiraq Janora, president i kompanisë “ART”, është i pari në listën e personave të akuzuar si shkaktarë të tragjedisë së Gjirokastrës. Ai akuzohet se ka kryer veprat penale “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “shkatërrim prone me dashje”. I pandehur për shpërdorim detyre është dërguar në gjykatë edhe inxhinieri zbatues i projektit të pallatit, Gjergj Meçe. Zyrtarë të KRRT-së, Inspektoratit të Ndërtimit dhe zyrës së Urbanistikës, janë marrë gjithashtu të pandehur në dosjen penale që u hap pas shembjes së objektit të banimit në lagjen “11 Janari” në qytetin e Gjirokastrës. Prokuroria e këtij qyteti, më 9 mars 2009, përfundoi hetimet për tragjedinë dhe ditën e djeshme dosja penale me nr. 675 është dërguar për shqyrtim në gjykatën lokale me shtatë persona të pandehur. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave organi i akuzës në Gjirokastër ka realizuar një sërë veprimesh hetimore dhe ekspertizash, me qëllim zbulimin e përgjegjësve për tragjedinë që shkaktoi vdekjen e tre banorëve.
Hetimi i tragjedisë
Hetimet e Prokurorisë për shembjen e pallatit filluan mbi bazën e këqyrjes së vendit të ngjarjes në lagjen “11 Janari” si dhe nga njoftimi i sallës operative të policisë, e cila lajmëroi për ngjarjen. Fiksimi i provave në vendin e ngjarjes, matjet dhe marrja e lëndës së ndërtimit për të ekspertuar cilësinë e saj, ishin veprimet e para që kreu policia dhe prokuroria e Gjirokastrës. Pas dhënies së ndihmës së shpejtë për personat e traumatizuar dhe përfundimit të kërkimeve për trupat e pajetë të Parashqevi Zokos, 65 vjeçe, Valbona Dalani, 35 vjeçe dhe Anxhela Dalani, 12 vjeçe, grupi i hetimit filloi mbledhjen e deklarimeve nga dëshmitarët e ngjarjes. Hetimi vazhdoi më pas me kryerjen e akt-ekspertimeve për konstruktin e ndërtimit të pallatit, bazamentin ku ai ishte vendosur, zbatimin e rregullave të urbanistikës dhe llojin e materialit të përdorur. “Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, rezulton e provuar se i pandehuri Sotiraq Janora ka konsumuar elementët e veprave penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “shkatërrim i pronës me dashje”, thuhet në akt-akuzën e Prokurorisë së Gjirokastrës.
Vrasja e banorëve
Akt-ekspertimi teknik i kryer rreth një muaj pas tragjedisë së ndodhur në Gjirokastër, ka ndihmuar Prokurorinë në përcaktimin e fajtorëve të ngjarjes. Sipas ekspertizës, materiali i përdorur për ndërtimin e pallatit, konkretisht çimentoja, ka qenë jashtë parametrave të kërkuar. Nga shqyrtimi i dokumenteve ka rezultuar se inxhinieri zbatues i projektit si dhe firma e ndërtimit kanë përdorur çimento me tregues 90, ndërkohë që në projekt, nisur nga madhësia e pallatit dhe vendosja e tij gjeografike, ishte parashikuar që treguesi i çimentos duhej të ishte të paktën 210. Sipas Prokurorisë dhe ekspertimeve në të cilat bazohet akuza, cilësia e dobët e materialit të përdorur për ndërtimin e pallatit ka qenë shkaku kryesor i shembjes. Kjo është pjesa e ngjarjes, e cila fajëson presidentin e kompanisë ndërtuese së bashku me inxhinierin zbatues të punimeve. Në këtë skandal rezultojnë të implikuar edhe zyrtarët e KRRT-së Gjirokastër, Inspektoratit të Ndërtimit dhe Zyrës së Urbanistikës, të cilët nuk kanë ushtruar kompetencat për inspektimin e objektit të banimit dhe paralajmërimin e banorëve për rrezikun që u kanosej.

Të pandehurit

1. Soriraq Janora
President i firmës së ndërtimit “ART”
“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”
“Shkatërrimi i pronës me dashje”
2. Gjergj Meçe
Inxhinier-zbatues
“Shpërdorim të detyrës”
3. Afërdita Papamihali
Sekretare në KRRT, Bashkia Gjirokastër
“Shpërdorim të detyrës”
4. Alfred Mamani
Ish-shef i Urbanistikës në Bashki
“Shpërdorim të detyrës”
5. Admir Shehaj
Përgjegjës, Inspektorati i Ndërtimit
“Shpërdorim të detyrës në bashkëpunim”
6. Petrit Maksuti
Ekonomist
“Shpërdorim të detyrës në bashkëpunim”
7. Leonard Mustafaraj  
“Shpërdorim të detyrës në bashkëpunim”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›