E Diel, 1 Nëntor 2026

“Anglezi dhe kosovari, porositën 500 kilogramë hashash në Lazarat”

 

TIRANE – Një shtetas anglez dhe një shqiptar nga Kosova, kanë qenë “porositësit” e ngarkesës me 500 kilogramë hashash, e cila u bllokua të dielën në Lazarat. Burime nga Policia e Shtetit thanë dje se dy personat kanë qenë “të infiltruar” me qëllim porositjen e lëndës narkotike, e cila sipas të dhënave operative zotërohej nga dy të arrestuarit, Beqir Avduli dhe Hasan Avduli, përkatësisht 44 dhe 27 vjeç. Është ende e paqartë mënyra se si shtetasi anglez dhe shqiptari nga Kosova janë “implikuar” në skenarin për arrestimin e dy banorëve të Lazaratit, por burime zyrtare të policisë konfirmuan se prej kohësh kishin të dhëna që tregonin se dy të arrestuarit mbanin dhe trafikonin sasi droge. Me qëllim për të konfirmuar informacionet që vinin në rrugë operative, policia ka “infiltruar” shtetasin shqiptar nga Kosova dhe anglezin me qëndrim në vendin tonë, në mënyrë që ata të porosisnin sasinë e lëndës narkotike. Menjëherë sapo kanë marrë porosinë, dy të arrestuarit, Beqir dhe Hasan Avduli, kanë filluar përgatitjen e ngarkesës. Policia nga ana tjetër ka marrë masat operacionale me qëllim bllokimin e lëndës narkotike dhe arrestimin e personave të implikuar në trafikimin e saj. Ndërhyrja është realizuar rreth orës 05:00 në mëngjesin e ditës së diel, në momentin kur bëhej shkëmbimi i ngarkesës me hashash. Disa orë më vonë, Policia e Shtetit njoftoi se në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kishin finalizuar operacionin e koduar “Darka jashtë”. Gjatë operacionit, sipas policisë, ranë në pranga Beqir Avduli, 44 vjeç dhe Hasan Avduli, 27 vjeç, të dy lindur dhe banues në Lazarat, xhaxha dhe nip mes tyre. Sipas policisë, ata janë ndaluar në flagrancë, pasi u është gjetur dhe bllokuar një sasi prej 500 kilogramë marijuanë. Një pjesë e lëndës narkotike ishte vendosur në furgonin me targa Gj 7320 A, ku ishte bërë gati për t’u trafikuar, ndërsa pjesa tjetër e drogës është bllokuar në magazinën e Beqir Avdulit.                  tr.so

Në burg, u kap me 2.6 kg kokainë

TIRANE – Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve ndaj 39-vjeçarit Eduart Çela, i cili u arrestua të dielën me 2.6 kilogramë kokainë. I pandehuri për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike nuk preferoi të jepte sqarime dje në gjyqin ku Prokuroria kërkoi izolimin në qeli të tij, derisa hetimet të përfundojnë. Gjykata e Tiranës pasi dëgjoi kërkesat e palëve miratoi qëndrimin e Prokurorisë, duke pohuar se vepra penale e kryer nga i pandehuri paraqet rrezikshmëri dhe ai duhet të mbahet në izolim. Eduart Çela u arrestua më 7 mars 2009 nga një aksion i policisë, pasi nga kontrolli në mjetin me targë DR 9182 D u gjetën 2 kg e 624 gramë, lëndë narkotike, e dyshuar kokainë e paketuar në pesë pako. Ndalimi i të dyshuarit është bërë në Tiranë pas ndjekjes nga Lezha, ku 39-vjeçari nuk i ka ndaluar një postblloku të policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›