Mblidhen Dhomat e Tregtisë
Efektet e krizës globale mbi ekonomitë e vendeve të rajonit dhe masat e marra nga biznesi për përballimin e saj do të jenë në qendër të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Dhomave të Tregtisë së Ballkanit, kryesinë e së cilës e mban Shqipëria. "Synimi është të dalim me masa konkrete si përfaqësues të bizneseve për përballimin e krizës, me aq sa shfaqet ajo në rajonin tonë", thotë Ilir Zhilla, president i Asamblesë së Përgjithshme të Dhomave të Tregtisë së Ballkanit. "Kësaj situate duhet t'i përgjigjemi shpejt dhe me vrull për t'i qartësuar bizneset, duke i orientuar në tregjet e njëri-tjetrit", shtoi ai. Takimi i radhës i Asamblesë që do të mbahet më 12 mars, i mbështetur nga Dhoma e Tregtisë së Gjermanisë, do të diskutojë dhe masat që duhen marrë në sektorë të veçantë të prekur nga kriza globale, si turizmi, tregtia, sistemi bankar, ndërtimi, shërbimet.