Beja: Vitin e ardhshëm akademik 130 muaj bursa për studentët
Vitin e ardhshëm akademik do të ofrohen 130 muaj bursa për lëvizjen e studentëve dhe të pedagogëve. Gjithçka në sajë të në rrjeteve të programit CEEPUS. Këtë deklaratë ministri i Arsimit, Fatos Beja e bëri dje në Bukuresht të Rumanisë, gjatë takimit të Komitetit të Përbashkët të Ministrave të Arsimit të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Nga sa pohon zyra e shtypit në ministri, ky takim u zhvillua në kuadër të programit CEEPUS, një program bashkëpunimi ndëruniversitar i rrjeteve të universiteteve të vendeve të Evropës Qendrore e Juglindore, i cili nxit lëvizjen e studentëve dhe pedagogëve ndërmjet universiteteve të këtyre vendeve. Ministri ka kërkuar nga vendet anëtare të programit CEEPUS, që të lehtësohet dhënia e vizave për studentët pjesëmarrës në këtë projekt. Këtë vit akademik në programin CEEPUS janë përfshirë Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës dhe Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës. Në të ardhmen pritet që numri i universiteteve pjesëmarrëse të rritet më tej. Shqipëria merr pjesë për të tretin vit në këtë program. Rreth 39 pedagogë dhe studentë shqiptarë kanë shkuar vitin e kaluar në universitetet e këtyre vendeve dhe 15 pedagogë dhe studentë të universiteteve të tyre kanë ardhur në universitetet tona. Në vijim, parashikohen edhe 75 lëvizje të tjera brenda këtij viti akademik. Lëvizjet brenda rrjeteve universitare maten me muaj-bursa, të cilët mbulojnë shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit në vendet përkatëse. Pedagogët shkojnë për të dhënë mësim, ndërsa studentët kryejnë një ose disa module dhe marrin kreditet përkatëse, të cilat njihen nga universitetet e rrjeteve ndëruniversitare.