Gabimet në formularin A1, korrigjimet deri me 25 mars
zirina llambro
Një mundësi e dytë për të gjithë ata maturantë që nuk kanë bërë zgjedhjen e duhur në Formularin A1. Ndonëse afati i fundit i plotësimit dhe dorëzimit të tij në shkolla ishte dje, drejtuesit e gjimnazeve kanë dhënë një tjetër shans. Deri në datën 25 mars, kur formularët do të dërgohen në drejtoritë arsimore, nxënësit kanë të drejtë t’u rikthehen atyre. ”Nuk përbën asnjë problem nëse maturantët duhet të riplotësojnë formularin. Për aq kohë sa na është lënë një afat i caktuar kohor për të grumbulluar dokumentacionin, atëherë dyert e drejtorive do të jenë të hapura në çdo kohë”, pohuan dje pjesa më e madhe e drejtuesve të shkollave të mesme. Shkak për lejimin e këtij “favori” është bërë edhe vonesa e koeficienteve të lëndëve me zgjedhje. Në shkolla ato kanë mbërritur vetëm përpara tri ditësh, ndërsa plotësimi i Formularit A1 kish nisur që në shkurt. Në mungesë të tyre shumë prej kandidatëve kanë preferuar t’i rikthehen sërish plotësimit të formularit pas marrjes së informacionit përkatës. Të njëjtën lehtësi do të kenë edhe kandidatët që i kanë dhënë më parë lëndët me zgjedhje dhe do të plotësojnë Formularin A1-Z. Me anë të tij ata mund të mbartin një ose të dyja rezultatet e lëndëve me zgjedhje. Për rrjedhojë kanë mundësi të konkurrojnë në shkollat e larta. Plotësimi i Formularit A1 është detyrim për çdo maturant. Për të pasur një bazë të dhënash, Ministria e Arsimit ka urdhëruar që këtë formular ta plotësojnë edhe ata nxënës që nuk duan të vazhdojnë shkollën e lartë. Pas kësaj faze në maj do të plotësohet Formulari A2. Me anë të tij kandidatët për shkollat e larta do të përzgjedhin degët e preferuara ku do konkurrojnë për në universitet. Më tej të gjithë duhet t’u nënshtrohen provimeve të detyruara. Letërsia dhe matematika do jepen nga të gjithë nxënësit, përkatësisht në datat 2 dhe 11 qershor. Në rregulloren e Maturës Shtetërore është përcaktuar se mësuesit janë të detyruar të ofrojnë konsultime për paqartësitë e nxënësve për një javë rresht para provimeve. Në këtë hark kohor maturantët do të kenë mundësi të pyesin për të gjitha paqartësitë që kanë në lidhje me testet. Nga sa bën me dije Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve, struktura e tyre do të jetë pak a shumë e njëjtë si vitin e kaluar. Një komision i posaçëm do të ngujohet disa ditë përpara provimit për të përzgjedhur pyetjet që do të bien. Ato do të zgjidhen në mënyrë të rastësishme nga një fond prej 1700 pyetjesh. Sa i përket skemës së vlerësimit, pyetjet me zhvillim janë thelbësoret. Ato kanë 3 herë më shumë pikë se pyetjet me alternativa, që do të jenë gjithashtu pjesë e testit. Specialistët kanë sqaruar se shkalla e vështirësisë do të matet sipas nivelit të nxënësve. Në test do të ketë pyetje si për nxënësit e dobët, mesatarët dhe ata me rezultate maksimale.