Gjelbërim për 4 rrugë të Tiranës
Katër kompani private financojnë mbjelljen e 113 pemëve në Tiranë. Duke iu bashkuar nismës së Bashkisë, për gjelbërimin e kryeqytetit, kësaj here kanë përfituar katër rrugë. Bëhet fjalë për rrugën “Vaso Pasha”, “Milto Tutulani”, “Ndreko Rino” e “Lidhja e Prizrenit”. Kryebashkiaku Rama, i pranishëm gjatë aksionit të mbjelljes së pemëve, u shpreh se politika e vjetër e politikanëve është politika e ndotjes së mjedisit, jo vetëm fizik por edhe të mjedisit të komunikimit shoqëror. “Kjo përmes lumenjve të baltës e të mllefit, sharjeve dhe shpifjeve dhe akuzave për tjetrin. Ndërsa politika e re e qytetarëve është politika e pastrimit të rrugëve të komunikimit, pa iu përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef dhe njëkohësisht e rrugëve ku lëvizim përditë, duke mbjellë sa më shumë pemë dhe vazhdimisht”, tha Rama.