E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen 165 kg drogë në liqenin e Shkodrës

Arrestohen dy persona dhe bllokohet një varkë që transportonte marijuanën


SHKODËR - Patrullat e përbashkëta shqiptaro-malazeze që ruajnë vijën e kufirit ujor mes dy vendeve kanë mundur të identifikojnë një mjet lundrues në liqenin e Shkodrës, i cili kishte ngarkesë që dyshohet të jetë kanabis sativa.

Ka qenë ora 23:45 e së dielës kur skafi i policisë kufitare të Shkodrës, në të cilin patrullojnë efektivë të policisë kufitare të dy vendeve, ka konstatuar një varkë në liqenin e Shkodrës në pjesën shqiptare, në afërsi të Hanit të Hotit në Malësi të Madhe.

Menjëherë skafi është vënë në ndjekje dhe ka mundur të bllokojë varkën ku ishin ngarkuar thasë me lëndë bimore të thatë që po transportoheshin në Mal të Zi.

Në varkë është kapur dhe shtetasi Flori Ramaj, 21 vjeç, lindur e banues në fshatin Goshaj të komunës Kastrat në rrethin e Malësisë së Madhe.

Duke qenë se policët kufitarë kishin konstatuar dy persona në varkë, me bashkëpunimin dhe të sektorit të antidrogës dhe krimit të organizuar në drejtorinë e policisë së Shkodrës janë marrë masa për identifikimin e personit tjetër.

Rreth orës 01:10 të së hënës, policia ka mundur të ndalojë 18-vjeçarin Kristian Ramaj, lindur e banues në Goshaj të komunës së Kastratit, djali i xhaxhait të të ndaluarit në varkë.

Sipas policisë, ky ka qenë bashkë me kushëririn e tij në varkë duke u përpjekur të kalonin ilegalisht përmes liqenit thasët me lëndë bimore në Mal të Zi.

Kur ka parë skafin e policisë, ai ka mundur të dalë në breg dhe është larguar me një automjet, i cili mendohet se është përdorur nga dy kushërinjtë Ramaj për transportimin e lëndës bimore deri në breg të liqenit.

Janë sekuestruar me cilësinë e proves materile 164,5 kg lëndë narkotike që dyshohet të jetë kanabis sativa e tharë, automjeti që ka shërbyer për transportin e saj tek varka në breg të liqenit, si dhe varka që po e transportonte.

Policia po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet, ku janë bërë disa kontrolle banesash dhe janë shoqëruar disa persona, banorë të zonës, në Malësi të Madhe.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›