E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzohen për vrasjen e zjarrfikësit, dy shqiptarët kapen në Greqi

Arrestohen dy të rinj shqiptarë, të akuzuar për vrasjen e një punonjësi zjarrfikës, teksa grabitnin para në një supermarket në qytetin e Patras në Greqi. Policia bastisi banesën e tyre në Patra, ku gjeti një armë tip kallashnikov dhe një sasi të vogël kokaine. Shqiptarët 20 dhe 21 vjeç akuzohen për vrasjen e 59-vjeçarit Kristos Manda, i cili u përpoq të parandalonte grabitjen. Ditën e shtunë, viktima ndodhej në supermarket me gruan dhe vajzën dhe kur pa dy personat me maska dhe armë, që kërcënonin për të marrë paratë, shkoi te makina e mori një shkop për t’i goditur nga pas. Por njëri prej tyre e qëlloi me armë në gjoks dhe 59-vjeçari, babai i 2 fëmijëve, me profesion zjarrfikës, vdiq rrugës për në spital. Ngjarja ndodhi para gjithë klientëve dhe punonjësve të tmerruar të supermarketit dhe menjëherë pas kësaj dy personat e maskuar u larguan nga vendi i ngjarjes me rreth 3000 Euro të grabitura. Dëshmitarët treguan për policinë se njëri prej tyre ishte veshur me xhup të bardhë dhe se të dy u larguan me motor. Nga hetimet dhe kontrollet në shtëpinë e të akuzuarve për vrasjen, policia konstatoi se ata kishin edhe një grua bashkëpunëtore, për të cilën është shpallur kërkimi. Dy autorët u dërguan në Prokurorin e Patras për një vepër flagrante siç është vrasja në supermarket dhe për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit e narkotikëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›