Lotaritë e rreme, hetim e-maileve mashtruese nga Nigeria e Kuba
Tiranë- Paralajmërimet e shpeshta të policisë për të mos rënë pre e mashtrimeve në internet, duket se nuk kanë vlejtur për disa qytetarë, të cilët janë mashtruar nëpërmjet e-maileve që njoftonin fitimin e lotarive. Seksioni kundër krimeve kibernetike po heton disa raste mashtrimesh, të cilat duket se lidhen me vende të largëta si Nigeria apo Kuba, vende këto që rezultojnë si origjina e e-maileve mashtruese. Pas kallëzimit të disa qytetarëve, seksioni i krijuar posaçërisht për të hetuar mashtrimet apo ndërhyrjet kompjuterike ka arritur të përcaktojë se këto e-maile kanë si orgjinë dy vendet e largëta, duke e bërë kështu më të vështirë hetimin e këtyre rasteve. Sipas të dhënave nga burime të rezervuara, mësohet se një prej rasteve që po hetohet ka të bëjë me e-malie të vazhdueshme që vijnë nga një vajzë nigeriane, e cila pretendon se mbahet në një kamp pas një lufte që ka shpërthyer në këtë vend, ku ka humbur jetën babai i saj. Po sipas e-malit, vajza pretendon se babai i saj, një ushtarak i lartë, ka lënë një pasuri të konsiderueshme, e cila është e depozituar në një bankë dhe mund të riaktivizohet vetëm pasi të plotësohet gjithë dokumentacioni i nevojshëm nëpërmjet avokatit të autorizuar prej saj. Për të kryer të gjitha këto veprime, është e nevojshme një shumë prej rreth 2-3 mijë dollarë, të cilat janë kryesisht pagesa për avokatin, si dhe një shumë fillestare që duhet të depozitohet në bankë për të tërhequr pasurinë e konsiderueshme që babai i kësaj vajze i ka lënë trashëgimi. Kësaj kërkese duket se i janë përgjigjur pozitivisht edhe disa qytetarë të Tiranës, të cilët kanë kryer transaksionin me shpresën se mund të ishin “ortakë” në ndarjen e llogarisë bankare që ish-ushtaraku nigerian i kishte lënë trashëgimi së bijës. Asnjë prej strukturave që po hetojnë këto raste mashtrimesh nuk bëjnë me dije numrin e personave të mashtruar, apo dhe shumat e parave që kanë paguar si pasojë e këtij mashtrimi. Mësohet se nga hetimet e kryera rezulton se këto e-malie janë nisur nga Nigeria dhe për këtë arsye hetimet duhet të shtrihen në vendin e largët afrikan për të siguruar informacione të vlefshme për llogari të këtij hetimi. Ditën e djeshme, prokuroria vendosi të nisë një letër-porosi drejt Nigerisë, duke vënë në dispozicion të autoriteteve të gjitha rezultatet dhe të dhënat e hetimit të kryer nga pala shqiptare. Po ashtu, policia në bashkëpunim me prokurorinë janë duke hetuar edhe një tjetër rast të mashtrimit kompjuterik, por këtë radhë në Kubën e largët, ku gjithashtu do të kërkohet informacion zyrtar. Sipas prokurorisë, drejt këtyre vendeve do të nisen letër-porosi për të marrë informacionet e mundshme rreth personave që kanë krijuar skemat e mashtrimit kompjuterik, duke mos përjashtuar mundësinë se janë përhapur thuajse në gjithë botën.