Projekti i Unazës së madhe, si dhe kur u konceptua kjo vepër
Unaza e Madhe e Tiranës është një nga projektet më të hershme që është hartuar nga specialistët për zhvillimin urbanistik të kryeqytetit. Ideja është hedhur fillimisht në vitin 1989. Tre vitet e fundit bashkia, ka nisur hartimin e një projekti serioz, por një nga problemet kryesore është shpronësimi i pronarëve. Rastet më problematike janë ato në vijën që do të kalojë unaza, ku ka ndërtime me karakter tregtar dhe biznesi, por edhe godina banimi. Kostoja e shpronësimit të tyre është tepër e lartë dhe për këtë bashkia ka kërkuar ndihmën e qeverisë. Kryeministri Berisha pak kohë më parë i kërkoi kryebashkiakut, Edi Rama, që ndërtimin e Unazës së Madhe ta bëjë qeveria. Projekti i Unazës së Madhe parashikon jo vetëm një rregullim të trafikut në gjithë kryeqytetin, por edhe ndërtimin e veprave të artit, që do ta rendisnin Tiranën në një qytet me rrugë moderne dhe bashkëkohore. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe, që lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës, me gjatësi rreth 2.2 kilometër, së bashku me zgjerimin, është filluar në vitin 1999 dhe ka përfunduar në vitin 2006. Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 5.5 kilometër dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Ndërkohë, në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele.
Veprat që do të ndërtohen përgjat Unazës së Madhe
1. Mbikalimi në kryqëzimin me rrugën “Komuna e Parisit”.
2. Sinjalistika vertikale dhe horizontale.
3. Semaforë në çdo kryqëzim.
4. Ndërtimi i kanalizimit të ujërave të zeza.
5. Ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të bardha.
6. Tubacionet ndihmëse, për instalimin e menjëhershëm ose të mëvonshëm të linjave elektrike të përcaktuar për zonat urbane.
7. Tubacionet ndihmëse për instalimin e menjëhershëm ose të mëvonshëm të linjave telefonike të përcaktuar për zonat urbane.
8. Ndërtimi i zonës së gjelbër, për gjatë gjithë aksit rrugor.
Projekti i unazës së madhe financuar dhe hartuar nga Bashkia e Tiranës
1. Donator- Banka Evropiane për Rindërtimin dhe Zhvillim (BERZH)
2. Kontakte- Banka Evropiane për Rindërtimin dhe Zhvillim (BERZH)
3. Gjatësia- 5,5 kilometra
4. Vlera- 25 milionë euro
5. Mbushje me dhera- 430.000 metër kub
6. Shtresa zhavorri- 70.582 metër kub
7. Shtresa asfaltimi- 106.000 metër katror
8. Betone- 11.488 metër kub
9. Shtresë pllaka për trotuar- 41.000 metër katror
10. Sipërfaqja e tokës që do shpronësohet- 25 hektarë
Etapat e procedurave për shpronësimet
1. Përcaktohet gjurma, se ku do të kaloj Unaza e Madhe. Ku përpilohet lista e subjekteve që duhen shpronësuar.
2. Ministria e Transportit ngre grupin e punës, që do të merret me realizmin e procesit të shpronësimit.
3. Grupi i punës përcakton kategoritë e shpronësimeve. Shpronësimi vetëm për tokën, shpronësim për tokën dhe ndërtesën që është ndërtuar në tokë, si dhe shpronësimi i tokave të cilësuar, si livadhe ose pyje.
4. Pronarët paraqesin pranë ministrisë dokumentet e vërtetësisë së pronës.
5. Ministria e Transportit, verifikon vërtetësinë e dokumenteve.
6. Ministria e Transportit, përpilon listën e pronarëve, të cilët do të shpronësohen.
7. Ministria e Transportit dërgon për miratim në qeveri listën e emrave të pronarëve që do të shpronësohen.
8. Qeveria pas miratimit bën shpërndarjen e lekëve.
16 Qershor 2009