Vangjel Dule: Jam i zhgënjyer nga Berisha
Kryetari i PBDNJ-së paralajmëron ndryshim kursi politik. Vendimi merret në datën 9 maj
TIRANË- Partia e Bashkimit të Drejtave të Njeriut, e kryesuar nga Vangjel Dule, duket se nuk do të jetë aleatja e tretë e Kryeministrit Sali Berisha, pas PR-së dhe PAD-së, në zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit.
Në një deklarim për mediat, Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është shprehur i zhgënjyer nga qeverisja aktuale, edhe pse prej katër vitesh, partia e tij është përfaqësuar me një post ministror në qeverinë aktuale. Madje, Kryetari i PBDNJ-së shtoi se mandati i qeverisjes aktuale i ngjan shumë mandatit paraardhës të socialistëve.
"Pak ndryshime mund të vihen re në lidhje me mandatin e mëparshëm 2001- 2005, sepse me periudha të tjera nuk ka shumë pika të përbashkëta kontakti, se ishin të natyrave të tjera, problemet edhe shqetësimet.
Nuk u arrit që t'i jepet shoqërisë ai temp zhvillimesh në politikë, në ekonomi, në aspektin social, që do të gjeneronte energji dhe do të sillte një situatë krejt të ndryshme", - tha Dule, partia e të cilit, në qeveri, përfaqësohet me postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale.
Për këtë arsye, por edhe për aplikimin e sistemit të ri zgjedhor, aq shumë të kontestuar nga PBDNJ-ja momentin e miratimit në Kuvend, Dule nuk ka përjashtuar dje mundësinë e largimit nga koalicioni i djathtë, për t'iu bashkuar PS-së, por pas zgjedhjeve të ardhshme.
Vendimi për lëvizjen dhe pozicionimin e PBDNJ-së në të ardhmen, do të merret nga kongresi i datës 9 maj. "Nuk mundem të përjashtoj dhe të paragjykoj vendimet e strukturave drejtuese të PBDNJ-së. Më datë 9 maj do të zhvillojmë kongresin, që do të marrë vendimet përkatëse.
Do prezantoj vendimin politik se si do kandidoj", - tha Dule. Deri më tani, Partia Demokratike ka lidhur koalicion parazgjedhor me PR-në dhe PAD-në. Ndërkohë që përflitet një koalicion i mundshëm edhe me PAA-në.
E vetmja parti, e cila aktualisht është në qeverisje, por që duket se do të ndryshojë kursin e saj politik, është PBDNJ-ja, shenjat e para të së cilës po shfaqen dukshëm, me qëndrimet publike të kryetarit të kësaj partie.